Alma Muça, prokurore pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku do t’i nënshtrohet vettingut. Teksa hetimi është mbështetur në 3 kritere, rivlerësimi i pasurisë, figura apo dhe aftësitë profesionale, nga verifikimet e ILDKPKI rezulton se Muça ka bërë deklarim të saktë në përputhje me ligjin.
KPK ka theksuar se prokurorja ka burime te ligjshme për të justifikuar pasurinë dhe nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit. Mes të tjerash thuhet se prokurorja disponon një depozitë bankare me një shumë prej 5 milionë lekësh të krijuar nga kursimet e pagës në vitet 2014-2015. Ndërkohë, në verifikimet e bërë, KPK shton se Muça disponon dhe një automjet me vlerë 17 mijë e 500 euro, burimi i krijimit hua nga babai i saj dhe nga një shume prej dy milionë lekësh nga shitja e një makine të mëparshme. Po ashtu bëhet e ditur se prokurorja ka një apartament në Durrës 185 m 2, ndërkohë që 28 mijë e 182 euro janë në pronësi të mamasë së subjekti. Në vitin 2017 Muça ka marrë dy apartamente me sipërfaqe 96 m 2 dhe 32 m2 të trashëguar pas vdekjes së babit të saj.
KPK nënvizon mes të tjerash faktin se Muça është paditur me pretendimin se ka favorizuar ndryshimin e akuzës si dhe më pas një lajm tjetër u dha në media se prokurorja ishte pezulluar. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri me dije se në ONM ka ardhur një denoncim lidhur me masakrën e Çoles në Vlorë, që konsiston tek mënyra e organizimit të punës prej prokurores Muça.
Teksa u ndal tek një nga kriteret e vlerësimit, KPK vlerësoi aftësitë profesionale të Muçës, ndërsa shton se ‘nuk janë gjetur afera korruptive tek denoncimet’. Vet Muça gjatë fjalës së saj para KPK-së kërkoi konfirmim në detyrë.
a.cupaj