Luljeta Cora nga fshati Labinot Katund, e bllokuar nga dëbora, është detyruar ta lindë foshnjën e saj në kushte shtëpie. Lindja është asistuar nga infermierja e qendrës Shëndetësore “Labinot Katund”, Nazmie Demiri, së cilës i ka ardhur në ndihmë edhe infermierja e dalë në pension Ismete Allushi. Mësohet se falë ndërhyrjes në kohë të tyre është bërë e mundur shmangia e komplikacioneve gjatë lindjes së nënës 25-vjeçare. Menjëherë sapo e reja ka arritur të sjellë në jetë fëmijën e saj të dytë, drejt banesës së saj është dërguar një autoambulancë me zinxhirë, e cila ka arritur të depërtojë në fshatin e bllokuar nga dëbora.
Në pamje po shihni momente të udhëtimit të autoambulancës drejt banesës së nënës së re në fshatin Labinot Mal. Autoambulanca e ka dërguar Luljeta Coran menjëherë në maternitetin e Elbasanit, ku aktualisht po merr trajtimin e nevojshëm së bashku me fëmijën. Nëna 25-vjeçare ashtu edhe foshnja gëzojnë shëndet të plotë dhe ndodhen nën përkujdesjen e stafit të maternitetit.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe deputeti i zonës Taulant balla, i cili ka përgëzuar stafin e qendrës shëndetësore për punën, ndërsa i ka përcjellë urime familjes Cora për beben e ardhur në jetë. /raport.tv/a.meta