Interi do të jetë i detyruar të luajë pa tifozë sfidën përballë Sassuolos, të vlefshme për javën e 20 të kampionatit italian, për shkak të pezullimit të marrë pas thirrjeve raciste ndaj Koulibaly, në ndeshjen përballë Napolit.
Megjithatë drejtuesit e klubit të Interit sot kanë shkuar në Ligën e Italiane të Futbollit dhe Federatë, me një propozim mjaft interesant, që do të shmangte zbrazëtinë e shkallëve të stadiumit “San Siro”.
Ata kanë kërkuar që unaza e parë e stadiumit të jetë e hapur vetëm për djemtë dhe vajzat e shkollës zikaltër të futbollit, por edhe ata të qendrës sportive italiane, si një mënyrë për të çuar një tjetër sinjal të qartë kundër çdo forme të diskriminimit.
Propozimi i zikaltërve ka gjetur mbështetje të fortë publike, përfshi këtu edhe atë të kryebashkiakut të Milanos, ndërsa shumë shpejt pritet edhe përgjigja nga ana e autoriteteve, që me gjasë do të jetë pozitive./a.meta