Në Turqi filloi gjykimi ndaj 28 personave, të akuzuar për rolin e tyre në vrasjen e ambasadorit të Rusisë në Turqi, transmeton Asocciated Press.Në mesin e të akuzuarve, është edhe kleriku mysliman me vendqëndrim në SHBA, Fetullah Gylen, të cilin Turqia e fajëson për një grusht shteti të dështuar.Një oficer policie që ishte jashtë detyrës, Mevlut Mert Altintas, vrau ambasadorin rus, Andrei Karlov në një ekspozitë fotografike në kryeqytetin turk, më 19 dhjetor 2016. Policia turke më vonë e qëlloi për vdekje atë në vendngjarje.
Prokurorët turq erdhën në përfundim se një rrjet i udhëhequr nga kleriku mysliman, Fethullah Gulen, ishte pas vrasjes së Karlovit dhe sulmi kishte për qëllim të pengonte lidhjet midis Turqisë dhe Rusisë.Ata kanë akuzuar 16 të pandehur, duke përfshirë Gylenin, për “shkelje të rendit kushtetues”, “anëtarësim në një organizatë terroriste” dhe “vrasje të paramenduara me qëllim të shkaktimit të terrorizmit”.Prokurorët kërkojnë dënime me burg të përjetshëm.
Gyleni, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1999, ka mohuar përfshirjen në grusht shtetin dhe vrasjen e diplomatit rus.
Të pandehur të tjerë përfshijnë ish-oficerët e policisë, organizatori i ekspozitës së fotografive, një ish-agjent i inteligjencës turke dhe një ish-kolumnist i gazetës turke, i cili gjithashtu tani jeton në Shtetet e Bashkuara, përcjell REL.
Katërmbëdhjetë të pandehur u paraqitën në gjykatë të martën, ndërsa katër të tjerë u lidhën në sallën e gjyqit përmes një video-lidhje nga burgjet e ndara. Gyleni dhe disa të tjerë po gjykohen në mungesë. (b.an)