Që prej datës 1 Janar të këtij viti, bastet sportive janë të paligjshme në vendin tonë. Ky vendim erdhi kryesisht si pasojë e rritje së këtij lloj aktiviteti mes shqiptarëve të thjeshtë. Masivizimi i këtij lloj aktiviteti, veç numrit të pikave të basteve dhe shifrave të parave të lëna, vërtetohet edhe nga kërkimet e shqiptarëve në motorin e kërkimit “Google”. Google trends është një indikator mjaft i saktë e interesave të një shoqërie të caktuar.
Të dhënat tregojnë se në `12 muajt e fundit, mes 20 kërkimeve kryesore të shqiptarëve në Google, 5 prej tyre i takojnë basteve sportive, ose më saktë, 4 kompanive të basteve, vendase apo të huaja, dhe 1 prej tyre, faqe interneti e specializuar në rezultatet e ndeshjeve, pra rrjedhojë e drejtpërdrejtë e bastvënies sportive. Nga një hulumtim i kërkimeve kyçe të shqiptarëve në Google në 30 ditët e fundit, rezulton se të gjitha këto kërkime janë zhdukur.
Rezulton se vetëm një prej tyre, i takon basteve sportive, që mesa duket, në pamje të parë, është një mekanizëm i ri i “lojës”. Pra, shqiptarët duket se po luajnë më pak bixhoz dhe kjo reflektohet më së miri edhe në kërkimet e tyre në rrjet, e sidomos në Google, motorin më të madh ët kërkimit në botë.
Pavarësisht kësaj, interesi vijon të jetë, paçka se bëhet fjalë për një aktivitet të paligjshëm. Të dhënat ndërkohë tregojnë se ndalimi i basteve sportive në vend nuk ka çuar në një rritje të ndjeshme të këtyre basteve në websitet e huaja.
(SCAN/a.rada)