Të paktën 7 persona kanë humbur jetën në Alpet e Austrisë, Zvicrës dhe Italisë, gjatë një fundjave me reshje të shumta bore dhe temperatura të acarta, që kanë mbërthyer të gjithë Europën.
Reshjet e borës kanë bërë që niveli i alarmit për orteqet në Bavari dhe Austri të rritet, ndërsa qyteza e vogël Shën Johann është evakuuar.
Mbi dy metra borë besohet se ka rënë në zonat e Alpeve në Austri, ditët e shkuara. Mijëra turistë kanë mbetur të bllokuar për shkak të rrugëve të mbyllura, ndërkohë që stuhitë kanë mbërthyer Europën, përfshirë Greqinë dhe Gjermaninë.
Rreth 120 fluturime janë anuluar në Aeroportin e Mynihut. Ndërsa në Greqi, një 66-vjeçare u gjet e vdekur, pasi një makinë u përfshi në një aksident në mes të stuhisë së borës. Trupi i bashkëshortit të saj dhe një tjetër burri u gjetën një ditë më vonë.
Temperaturat në Greqinë qendrore dhe veriore kanë rënë nën zero që prej një jave, e autoritetet janë në gatishmëri për shkak të valës së radhës së të ftohtit, që do të godasë vendin gjatë ditës.
Të shtunën, zjarrfikësit shpëtuan dy francezë të bllokuar në një pyll në ishullin e Lesbosit. Ndërkohë, Britania e Madhe është përfshirë nga një masë ajri polar, me erëra arktike dhe kaos në udhëtime. Bora ka përfshirë pjesën më të madhe të veriut të vendit, e temperaturat janë nën zero, me erën e ftohtë që i bën të ndihen edhe në -10 gradë Celsius në disa pjesë të vendit.
/a.rada