Si një nga frekuentuesit më besnikë të Parkut të Liqenit artificial prej viteve ’70, profesori dhe përkthyesi i njohur i gjuhës frënge, Ilia Lëngu i është bashkuar këtë fillimviti, sikurse vjet, nismës së Bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut Veliaj për mbjelljen e dy manjolave në hapësirën e kopshtit “Baballarë dhe Bija”, dhuratë për vajzën dhe mbesën e tij.
“I jam shumë mirënjohës profesor Ilia Lëngut, i cili ia ka kushtuar gjithë jetën Akademisë, shkencës, por njeriu ka edhe pasione të tjera në jetë. Pra, asnjë prej nesh nuk është monokromatik, vetëm me një ngjyrë. Ajo që mua më pëlqen më shumë është pasioni i tij për të qenë vullnetar i këtij qyteti, sepse nga qyteti merr dashuri, energji, hapësira, por qytetit edhe duhet t’i japësh”, deklaroi Veliaj.
Pas arritjes së objektivit të një milion pemëve të mbjella, kryetari i Bashkisë së Tiranës shprehu ambicien për mbjelljen e 2 mln pemëve të reja në kryeqytet, duke krijuar një mjedis më të mirë për qytetarët.
“Nisma jonë për të mbjellë dy milionë pemë deri në vitin 2030 nuk bëhet dot realitet, nëse njerëz të mirë të këtij qyteti si profesor Ilia nuk na japin një dorë. Zakonisht flasim e i mbushim ekranet tona me ata që janë kriminelë përsëritës, pra që bëjnë të njëjtin krim disa herë, por asnjëherë nuk vëmë në dukje që ka edhe njerëz që bëjnë një gjë të mirë dhe e bëjnë në mënyrë të përsëritshme. Edhe këtë vit do të dalim faqebardhë për të pasur një qytet që gjelbërohet, por kryesisht nga fuqia e njerëzve të mirë si profesor Ilia”, tha ai.
Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që të kontribuojnë duke dhuruar pemë.
“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, secili sipas mundësive. Mbjellja e një fidani është e përballueshme për të gjithë. Pra, nëse secili prej nesh i dedikon një pemë fëmijëve të tij, prindërve, gjyshërve, një përvjetori ose një feste të veçantë, praktikisht ka hedhur rrënjë në qytet, jo vetëm në nivelin metaforik, por ka hedhur rrënjë fizike në këtë qytet nëpërmjet këtij kontributi”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.
Profesori Ilia Lëngu e vlerësoi transformimin që ka pësuar ky park dhe vëmendjen e shtuar për përkujdesje ndaj tij.
“Ky është një kënd shumë i dashur për mua në Parkun Madh të Tiranës, të cilin e njoh që nga vitet ’70. Pra, janë gati 50 vite që unë dhe familja ime shëtisim në këtë park të bukur, që ka pësuar ndryshime, të cilat i shikon kushdo, bien në sy dhe mirëmbahet në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi profesori
a.cupaj