Edhe pse konsiderohet si ndër lojtarët më të mirë të “Zonjës së Vjetër”, Paolo Dybala është pranë divorci me Juventusin. I lënë në hijen e Ronaldos dhe gjithashtu marrëdhënia jo e mirë me trajnerin bardhezi, Masimiliano Alegri, mund të shtyjnë “La Joya” drejt një largimi nga Torino.
Argjentinasi mund të jetë i sakrifikuari i radhës i klubit bardhezi për të arritur marrëveshjen me një lojtar tjetër. Bëhet fjalë për kampionin e botës, Kylian Mbappe, që ëndërrohet nga “Zonja e Vjetër”, për të formuar një dyshe ëndrrash me Ronaldon.
Destinacioni i ardhshëm mund të jetë Interi ose Bajerni i Mynihut.
Interi duket se qëndron në “pole position” për të transferuar lojtarin në Milano dhe kjo falë Giuseppe Marottës, i cili ka një marrëdhënie të mirë me lojtarin, pasi ishte pikërisht “Bepe” që këmbënguli për ta transferuar nga Palermo në Torino. Dybala gjithashtu do të preferonte një qëndrim në Itali, edhe pse vështirësitë për të kaluar në një skuadër rivale si Interi nuk janë të pakta. Ndërkohë, ende nuk është diskutuar për një çmim të saktë, ndonëse shifrat kanë nisur të qarkullojnë.
Juventusi me siguri nuk do ta lëshojë atë për një çmim poshtë 120 milionë eurove, por ndërkohë ideja e Interit mund të jetë ajo që ta financojë në një mënyrë tjetër këtë blerje. Marotta po mendon që të ofrojë 80 milionë euro për kartonin e sulmuesit argjentinas, ndërsa diferencën tjetër ta financojë me 30-40 milionë euro në formë bonusesh. Dhe me një “gjeni” merkatoje si Marotta, vera e ardhshme në aksin Torino-Milano pritet të jenë e nxehtë.
a.cupaj