Megjithëse merkatoja e janarit është hapur zyrtarisht, e ardhmja e Hysajt mbetet ende e paqartë dhe mbrojtësi shqiptar nuk e di nëse do të vazhdojë të luajë me Napolin deri në fund të sezonit, apo do të largohet në drejtim të Çelsit, aty ku po e pret Sarri. Vetë Ançeloti, e konsideron Hysajn si një bast dhe se ka besim te ai, por agjenti Mario Xhufredi duket se nuk mund të presë më.
Në një prononcim për mediat italiane, Xhufredi shprehet se Hysaj nuk po trajtohet me respekt dhe për hir të asaj që ka dhënë me fanellën e Napolit në 3 vite, nuk duhet të trajtohet në atë mënyrë. Ai ka kërkuar nga Ançeloti që të shihet me kujdes, ose do të largohet nga Napoli.
“Ai mund të shkojë te Çelsi i Sarrit, por Ançeloti ka bllokuar gjithçka dhe madje ka thënë publikisht ka vënë bast për të, por në periudhën e fundit, faktet thonë të kundërtën. Në 4 ndeshjet e fundit, Hysaj ka luajtur vetëm një dhe ndoshta është jo aq e rëndësishme për teknikun. Ndoshta Ançeloti nuk e konsideron më atë titullar.
Hysaj nuk meriton një trajtim të tillë, duke pasur parasysh atë që ka dhënë te Napoli në tre vjet. Duhet menduar edhe korrektësia e tij profesionale, mjafton të jesh i qartë në jetë. Ndoshta është një fazë kalimtare, por çdo trajner bën zgjedhjet e tij dhe është e drejtë që kjo të ndodhë, por nëse Hysaj është bërë zgjedhja e katërt, është e drejta jonë që të rishohim pozicionin.
Nëse kjo është kalimtare, do të shihet marrëdhënia e drejtuesve me të, ndërsa në rast të kundërt, nëse Hysaj nuk shihet më nga trajneri, ne do të kërkojmë që të transferohemi në janar”, u shpreh Xhufredi. (Tema)