“Ajo që më shqetëson më së shumti është se nuk shoh revoltë kundër kapitalizmit. Ku po na çon kapitalizmi? Nuk mund të mos e ngre një pyetje të tillë. Kriza, krizat që po përjetojmë nuk kanë lindur nga njerëzit e thjeshtë, por nga fitorja e parasë mbi të gjithë e mbi gjithçka. Stéphane Hessel, i cili ka qenë në një kamp përqendrimi me mua, shkroi dikur: “Indinjohuni!”. Por unë as këtë nuk po e shoh më: shoh zjarre të vogla, protesta, frustrim, por jo revoltë morale kundër kapitalizmit. Jetojmë në një shoqëri egoiste, që të neverit; kapitalizmi nuk është një ide, është një sëmundje që na ka hyrë në qeliza. Dhe këtë po ua thotë një antikomunist”.
Me këto fjalë, shkrimtari slloven Boris Pahor, përshkruan shoqërinë moderne. Me ton të ulët zëri, tipik për një njeri që në gusht të këtij viti mbush plot 106 vjeç, flet në një inervistë për “L’Espresso”.
Pahor ka përshkuar “errësirën” e viteve 1900, duke e rrëfyer në mijëra fqe librash. Mbi të gjitha te “Nekropoli”, kryevepra e tij që mori formë në kampin nazist të përqendrimit, Natzweiler-Struthof. Në Itali, shtetas i të cilës Pahor është prej vitesh, ky libër është botuar 40 vjet pas botimit në sllovenisht (në vitin 2008), ndërsa në shqip është botuar në 2014-n.
Edhe pse në moshë të thyer, shkrimtari me origjinë nga minoriteti slloven në Trieste, disa herë kandidat për Nobel, punon ende. Shkruan ndonjë faqe në ditë…
Mbi tryezën e tij ka një makinë të vjetër shkrimi, që e përdor prej 40 vitesh.
“Ndoshta nuk kam thënë mjaftueshëm në librat e mi. E them këtë duke pasur parasysh se ju gazetarët në Itali nuk jeni marrë kurrë me komunitetin slloven në Trieste. Ne kemi qenë guri i skandalit. Italia donte Triesten, por ne triestinët sllovenë kemi qenë këtu prej shekujsh. Kemi qenë një komunitet i fortë kulturor. Më pas erdhi fashizmi dhe ne na hipën në trena. Në Francë na e njohin historinë, por në shkollat italiane për të nuk është folur kurrë”, është përgjigjja e tij në telefon gjatë bisedës që i parapriu intervistës.
Më shumë se asnjëherë do të ishte e nevojshme të flisnim për nacionalizmin, nostalgjinë për regime…
Kujtesa nuk është e nevojshme, është e domosdoshme. Por kur flitet për nacionalizëm, unë bëj një dallim. Përsa kohë ishte Bashkimi Sovjetik, edhe Europa i kishte detyruar popujt të nënshtroheshin. Sapo ra Bashkimi Sovjetik, popujt nisën të “marrin frymë”, të ndihen të lirë.
Ka nacionalizëm të mirë dhe të keq? Këtë por thoni, profesor?
Dëgjo, po të jap një shembull. Poetët dhe shkrimtarët klasikë sllovenë kanë lulëzuar nën Perandorinë Austro-hungareze. I linin të vepronin, nuk ishin të shtyour, ishte jë lloj nacionalizmi i ndershëm. Më pas erdhën fashizmi dhe nazizmi. Ndërsa sot mbijnë “kërpudha helmuese” aty-këtu. Por unë jam një fatkeq, i kam parë nga afër kampet e përqendrimit dhe sot nuk shoh asgjë të ngjashme në horizont.
Pra këto “kërpudhat helmuese” nuk do të marrin avantazhin?
Kjo varet. Nëse do të rilindë një e majtë më bindëse, do të mbeten fenomene të izoluara dhe ndoshta edhe jetën do ta kenë të shkurtër. Për momentin, e majta është dobësuar gjithandej. Për të qenë i majtë nuk ka nevojë të jesh revolucionar, do të mjaftonte të dëgjohej populli. Në të vërtetë, nuk ia kanë dalë të propozojnë asgjë, të ndërtojnë një skenar të së majtës pa komunizëm që mund të bindte popullin. Ta thuash këtë nuk do të thotë se je populist. Mjafton të jesh i majtë “përgjysmë” në vend që të ndjekësh të djathtën. Dhe nëse e ndjek të djathtën, nëse ndërton një model social vetëm mbi bazën e arrivizmit, nëse nuk gjen dot pika ndërmjetëse dhe jeton me kontrastet e brendshme… atëherë fiton e djathta, kjo është logjike.
Lajmet dhe jo vetëm ato të sotmet, flasin për një racizëm që po ringre kokën në shumë vende të Europës. Edhe në Itali.
Unë jam në limitin e forcave të mia. Mos vallë kjo më bën një njeri që nuk do të shohë çfarë ndodh? Nuk është kështu. Në shoqërinë europiane në përgjithësi ende nuk shoh të ketë shtytje të forta drejt racizmit. Sinjalet për një rilindje të këtij fenomeni janë, por janë minorancë dhe ajo që unë kam parë dikur ishte gjë tjetër. Dhe siç ju thashë, unë jam në limitet e forcave të mia.
A keni votuar në zgjedhjet e fundit politike?
Jo, nuk i kam ndjekur zgjedhjet italiane. Ne të minoritetit slloven votonim gjithnjë të majtën, por duke parë rrugën që ka marrë e majta italiane, e kam humbur interesin. Për mëtepër, as në Slloveni nuk do ta votoja të majtën? Cilën të majtë?
Provoni të imagjinoni një të tillë…
Si? Si mund të krijohet një qeveri sociale nëse jemi zhytur plotësisht në kredon capitaliste. Kjo është pyetja e madhe. Sigurisht që edhe ju duhet të keni dëgjuar për atë përrallën konspiracioniste që flet për kapitalistë të mëdhenj të botës që janë bashkuar në një tryezë për t’i vënë popujt kundër njëri-tjetrit, me qëllim që t’i dominojnë më lehtë… Është një përrallë, antyrisht. Por a nuk e shohim këtë tendencë drejt dominimit të pandalshëm të capitali, të parave?
Profesor, ndonjë mund t’i kuptojë këto fjalë tuajat si një evokim i “fuqive të mëdha”, kategori që gjen vend te disa liderë të kësaj qeverie.
«Kësaj qeverie? Lëre fare atë. Mendojnë si ta shkatërrojnë akoma më tej Italinë. Nuk mund të kuptoj çfarë cilësish kanë për të bërë atë revoltën për të cilën e kan fjalën, atë të nevojshmen. Duke shtuar borxhet, në vend që t’i paguajnë? Nuk qeveriset me iluzione. Kurrë!
Duke u kthyer te dominimi i parasë, “i pandalshëm” tingëllon si një dënim përfundimtar. Nëse nuk mundet politika, kush tjetër? Një besim fetar, një mrekulli?
Mrekullitë nuk ekzistojnë ose mund t’i bëjë vetë njeriu. Unë jam panteist. Dhe e gjej veten te fjalët e Antshajnit: Jam fetar, por jo besimtar. Por përulem para natyrës, e bëj përditë qëkur kam dalë nga kampi i përqendrimit. Njerëzit mund të shkatërrojnë veten e bashkë me veten, edhe këtë “topin” që ne e quajmë botë. Dikush mundtë thotë: Ty ç’punë të prish, sepse shumë shpejt do të mbulohesh me dhe. Merakosem sepse ka njerëz që jetojnë, njerëz që lindin. Të mendosh këtë do të thotë të jetosh me ndershmëri. Natyra nuk ka ndërgjegje, ne e kemi dhe duhet ta kemi.
Çfarë keni parasysh me “mrekullitë mund t’i bëjë njeriu?
Mbaj mend që ne ishim “trekëndëshat rozë”… të internuarit politikë në kampet naziste të punës. Gjysmë buke, një supë me rrepa, asgjë tjetër. Mora sëmundje, duhej të vdisnim si të gjithë të tjerët: hebrejtë, ciganët. Por jam këtu sot.
Në këtë botë që nuk ju pëlqen.
Mundet. Duhet vetëm një gjë: jo tryeza e kapitalistëve që mbajnë në grusht botën si te përralla e konspiracionistëve. Duhet një tjetër tryezë, një takim universal për njeriun dhe mbijetesën e tij. Do të zgjasë një ditë, një vit, dhjetë vjet? Nuk ka rëndësi. Duhet të gjejmë një qëllim për njeriun më në fund, t’i japim fund një historie, e cila që nga Aleksandri i Madh e deri te Hitleri ka sjellë shfarosje. Një takim universal mes mjekësh, poetësh, inxhinierësh, njerëzish të fesë. Mendoni se do të ishte utopi? Nëse një njeriështë në gjendje të bëjë “mrekulli” si ato që çdo ditë na zbulon teknologjia, si num mundet të bëjë këtë? Një studim për njeriun, për të jetuar me kuptim një jetë tjetër nga ajo e karakterizuar nga dëshira për të pasur dhe për të bërë tënden. Që asnjë njeri të mos mbetet pa bukë. Është e mundur. Vetëm kështu, njerëzimi i inovacionit të madh do të krijojë diçka që është verte risi.
Ju jeni shkrimtar. Çfarë kontibuti mund të japë letërsia, nëse mundet, në këtë që ju e quani risi?
Letërsia ka vlerë aty ku ekziston një prirje shpirtërore. Ka vlerë kur ka njerëz që pranojnë dhe janë në lartësinë e duhur për ta pranuar këtë pasuri. Por që ta “ndezësh” këtë revolucion moral, intelektual e psikologjik me letërsinë, më duket e vështirë. Përndryshe, do t’ia kishte dalë ta bënte krishtërimi.(TemA TV)