Teksa zhvilloi një takim me strukturat e LRI-së në gjimnaze, Monika Kryemadhi u tha të rinjve se duhet të bashkohen për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama.
Liderja e LSI-së, thotë se tashmë është koha që të ngrihen të gjithë shqiptarët.
“Ajo që mendoj unë se është shumë e rëndësishme është që pak nga pak të hartohet një rezolutë, nuk është e thënë se vulën e kujt forumi rinor do të ketë, por një rezolutë ku kërkesat e maturantëve dhe gjimnazistëve janë shumë të qarta, nuk janë kërkesa partiake.
Janë kërkesa që kërkojnë një reformim të sistemit arsimor.
Reformimi i sistemit arsimor nuk bëhet as me dëshirë e as me piktura, por bëhet me punë, bëhet me përkushtim dhe mbi të gjitha bëhet me një angazhim dhe një vullnet politik të qeverisë, gjë e cila nuk vjen si rezultat i një partie politike, por reforma në arsim duhet të vijë si rezultat i një bashkëpunimi kombëtar.
Ju jeni celësi i suksesit. Problemet që ju ngritët janë në thelb shumë të mëdha, pasi janë probleme qe dëmtojnë në gjeneze rininë shqiptare.
Ju jeni ata që do ktheni meritokracinë në këtë vend për arsimin, kështu që forca. Ne na keni gati për çdo ndihmesë që ju duhet.
Detyra juaj nuk mbaron sot këtu, por tani fillon. Duhet të bashkoheni për t’iu bashkangjitur protestës së studentëve më 7 janar.
Prandaj është koha për t’u ngritur. S’ka nevojë për të shkuar në anarki, sepse nuk janë aq trima ata që të presin deri te anarkia, mjafton që ju të jeni të gjithë të bashkuar.
Mesazhi i studentëve ka qenë shumë i qartë: Të bashkuar kemi për të fituar! Po u bashkuan edhe gjimnazistët në protestën e studentëve që në thelb të saj është vazhdimësi e juaja, sepse vitin tjetër pjesa më e madhe e juaja do të jenë studentë, kjo do të jetë një nga fitoret më të mëdha që ka arritur rinia shqiptare, duke lënë 100 hapa mbrapa politikën shqiptare, e cila ka nevojë për ndërgjegjësimin tuaj”, tha Kryemadhi.
a.cupaj