Vrasja makabre e Anxhelina Petros nga i ati në Greqi vijon që të zërë hapësirë kryesore në mediat e vendit fqinj. Mjeku ligjor Chrysavgi Koussi në një prononcim për mediat greke e cilësoi si brutale dhe të pamëshirshme vrasjen. Ai tha se Aleko Petro e goditi vajzën e tij me shufër hekuri disa herë në kokë duke e lënë të vdekur. “Ai e goditi shtatë herë në kokë me një shufër hekuri, ndërsa vajza ka ngritur duart për t’u mbrojtur. Pas vrasjes, ai pastroi shtëpinë nga njollat e gjakut dhe vajzën e groposi në oborrin pas banesës. Nga goditjet duket një urrejtje e madhe, nuk ishte incident, por vrasje brutale dhe e pamëshirshme. E gjithë kjo më ka lënë të habitur. Unë nuk mund ta kuptoj se si një prind mund të godasë fëmijën me këtë tërbim”tha mjeku ligjor Chrysavgi Koussi.
Ndërsa avokati i vrasësit Vasilis Noulezas theksoi për mediat greke se autori Aleko Petro është i dërrmuar psikologjikisht pas asaj që ka ndodhur. “Vajza kërkonte që i ati të mos ndërhynte në jetën e saj. Nuk ishte vrasje me paramendim, ndodhi në tension e sipër, pas një debati të ashpër. Ai e mohon që të ketë qenë e qëllimshme. Ai donte që vajza të rikthehej në shtëpi, pasi ishte larguar prej nëntorit të 2017. Pas debatit nga zemërimi ai u bë i pakontrollueshëm” tha ai.
Gjithashtu për mediat ka folur edhe i dashuri i 29-vjeçares. I riu afgan u shpreh se Anxhelina Petro kishte 15 vite që nuk e takonte nënën e saj dhe i vetmi njeri që kishte ishte i ati. “Kishte 15 vite që nuk takonte mamanë e saj. I vetmi njeri që kishte ishte babai” tha afgani. Anxhelina Petro vdiq më 2 janar dhe u gropos nga duart e vrasësit të tij, të atit, në oborrin e shtëpisë së këtij të fundit. Shkak i vrasjes ishte fakti se i ati nuk pranonte lidhjen e së bijës me të riun afgan. Pas ngjarjes i ati u shpreh se nuk donte ta vriste, por gjithçka ndodhi pas debatit. Ndërsa nëna e vajzës e cila jeton në Berat, apelon për drejtësi si dhe kërkon që t’i kthejnë turpin e të bijës./a.meta