Një ekip zyrtarësh amerikanë mbërrin sot në Ankara në një vizitë që Turqia shpreson se do të shtrojë rrugën per ekstradimin e Fetullah Gylenit, i akuzuar nga Erdogan për grushtin e dështuar të shtetit në vitin 2016. Turqia thotë se Gyleni, i cili jeton në ekzil në SHBA që prej vitit 1999, është truri i grushtit të dështuar të shtetit, që çoi në vdekjen e 250 personave.
Para grushtit të shtetit, Lëvizja Gylen i kishte vendosur mbështetësit e saj në aparatin shtetëror, sidomos në gjyqësor dhe në polici, nga ku ata kryen goditjen e kundërshtarëve, përfshirë këtu edhe një hetim antikorrupsion që vuri në shënjestër njerëz të afërt të Erdoganit. Pasi kjo kryengritje e papritur u shtyp, mijëra njerëz u hoqën nga puna dhe u arrestuan.
Gylen, i cili dikur ka qenë aleat i Erdoganit, e mohoi përfshirjen në përpjekjen për rrëzimin e Erdoganit nga pushteti.
Axhenda dyditore e delegacioni amerikan parashikon takime me homologë të drejtësisë turke dhe zyrtarë të Ministrisë së Brendshme e të Jashtme, me të cilēt do të diskutohet çështja e Gylenit, shkruajnë mediat turke.
Turqia e ka kërkuar arrestimin e Gylenit që në vitin 2014, por autoritetet amerikane e kanë refuzuar kërkesën me pretendimin se Turia nuk ka ofruar prova të mjaftueshme.
Megjithatë, një kthesë në marrëdhëniet SHBA-Turqi muajt e fundit i ka rritur shpresat e Ankarasë për plotësimin e kërkesës së saj.
“Ne shpresojmë dhe besojmë se SHBA-të do ta përmbushin detyrimin si një shtet që sundohet nga ligji dhe do ta ekstradojnë kreun e organizatës terroriste”, ka thënë ministri turk i Drejtësisë, Abdulhamit Gul, më 30 dhjetor. “Me vullnetin e Zotit, SHBA-të do ta plotësojnë kërkesën tonë në vitin 2019”, shtoi ai.
Muajin e kaluar, edhe ministri i Jashtëm, Mevlut Cavusoglu, tha se presidenti amerikan, Donald Trump, i kishte thënë Erdoganit se SHBA-të po punojnë për ekstradimin e Gylenit. Biseda është bërë gjatë një takimi në samitin e G-20 në Argjentinë, saktësoi Cavusoglu.
Megjithatë, më vonë Shtëpia e Bardhë mohoi se biseda ka pasur temë gatishmërinë e SHBA-ve për të ekstraduar klerikun mysliman 77-vjeçar, që aktualisht jeton në Pensilvani./ Al Jazeera
/a.meta