Tabela Ouija, nuk ka ndryshuar shumë në pamje dhe popullaritetin e saj që nga shekulli XIX, kur edhe u shpik dhe deri më sot. Dallimi i vetëm, është se tabelat më të hershme prodhoheshin kryesisht prej druri, ndërsa sot janë në dispozicion në një shumëllojshmëri materialesh të ndryshme, apo edhe si një version i printueshëm.
Ouija, zë një vend të diskutueshëm në kulturën popullore – e përqeshur nga shumë njerëz, por e nderuar nga një sërë grupimesh spirutualiste – dhe kjo ka ndodhur gjatë 2 shekujve të fundit. Megjithatë, historia e saj nuk është tërësisht e njohur,madje është e mbushur me mister.
Reklama më e hershme e njohur për një tabelë Ouija u shfaq në një gazetë të Nju Jorkut, në shkurtin e vitit 1891. Sipas Smithsonian, tabela premtonte t’u përgjigjej pyetjeve “për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen me një saktësi të jashtëzakonshme”, dhe për të krijuar
një marrëdhënie “mes të njohurës dhe të panjohurës, materiales dhe jo-materiales”.
Në reklamë, thuhej se paisja ishte verifikuar nga Zyra e Patentave, para se të hidhej në treg, gjë që pretendohet se është e vërtetë. Tabela Ouija, u krijua nga magjepsja e njerëzve të epokës viktoriane pas spiritualizmit. Nuk qe diçka e pazakontë që amerikanët e shekullit XIX-të, të përpiqeshin dhe të komunikonin me të vdekurit.
Vdekja dhe bota shpirtërore, qenë përqafuar si një pjesë e jetës normale të përditshme, një qëndrim që miratohej dhe nga Kisha. Në vitin 1848 spiritualizmi lulëzoi me ndihmën e motrave të njohura Foks nga Nju Jorku, të cilat pretendonin të ishin në kontakt me sferën e të mbinatyrshmes.
Lufta Civile, i nixiti njerëzit të kërkonin spiritualistët që t’i ndihmonin ata të mbanin kontakte me të afërmit e tyre të vdekur. Edhe Meri Tod Linkoln, bashkëshortja e presidentit amerikan, u përpoq të kontaktonte me djalin e saj të vdekur.
Siç shpjegon historiani i Ouija, Robert Mërç:”Komunikimi me të vdekurit ishte i zakonshëm, nuk shihej si diçka e çuditshme. Është e vështirë të imagjinojmë që sot e shohim atë pajisje dhe mendojmë “Pse po hap portat e ferrit?”. Një nga metodat për të folur me të vdekurit, ishte duke recituar alfabetin, dhe duke pritur një trokitje kur ishte gërma e duhur.
Një bisedë e zhvilluar në këtë mënyrë, do të ishte tepër e gjatë dhe e ndërlikuar. “Kennard Novelty Company” që njihet për thjeshtimin e mjeteve të komunikimit, doli në treg me tabelën e vet Ouija. Besohet se emri “Ouija” është një përzierje e fjalëve franceze dhe gjermane që do të thotë “po”, megjithatë, siç e tregon studimi i Mërç, krijimi i këtij emri është shumë më misterioz.
Me sa duket ishte vetë tabela Ouija, ajo që u ofroi emrin krijuesve të saj. Helen Peters, kunata e Elijah Bondit dhe bashkë-themeluesja e “Kennard Novelty Co”, ishte një spiritualiste e mirënjohur që e pyeti atë se çfarë emri duhet të mbajë. Fjala e fshehtë, që i tha tabela, do të thotë “Fat i mirë”.
Pas dizajnimit të Ouija-s, shpikësit vazhduan të patentonin produktin. Nëpunësi i parë në Zyrën e Patentave nuk e mori fillimisht me seriozitet këtë kërkesë…. derisa tabela shkruajti emrin e saj në një demonstrim. Patenta nuk ofroi ndonjë shpjegim se si funksionon tabela Ouija, ajo vetëm deklaronte se kjo e bën produktin edhe më misterioz dhe të tregtueshëm.
“Ata qenë biznesmenë shumë të zgjuar”- thotë Mërç kur flet për shpikësit. “Në fund të fundit, ishte një gjenerator i madh parash. Ata nuk u shqetësuan pse njerëzit mendonin se ajo funksiononte”. Shpikja e tabelës Ouija, shoqërohet me shumë histori të çuditshme të rrëfyera në gazetat amerikane, disa prej të cilave përfshinin krime.
Kishte raste kur njerëzit, pohonin se shpirtrat i kishin shtyrë të kryenin krime, pasi përdorën tabelën Ouija, për të komunikuar dëshirën e tyre. Për shembull, në vitin 1930, “Neë York Times” botoi një artikull që shtjellonte si një film horror ngjarjen:mbrojtjen e dy grave nga Bufalo në Nju Jork në gjyq për vrasjen e një gruaje, ku sërish ishte tabela e veçantë ajo që ua kishte kërkuar aktin kriminal.
Tabelat Ouija janë popullore ende sot, dhe disa psikologë besojnë vërtet se ato lidhin të njohurën dhe të panjohurën, por duke i ekspozuar mendimet e pandërgjegjshme të pjesëmarrësve, në vend se të marrin informacione nga bota e përtejme./VintageNews – Bota.al/