Nesër revista prestigjioze The Economist do të botojë një shkrim të posaçëm, dedikuar krimit shqiptar në Perëndim. Sipas The Economist, “gogoli” i mafies shqiptare është në fakt i fryrë dhe i hiperbolizuar për arsye që zbërthehen në shkrim. Javanews e përktheu ekskluzivisht shkrimin në fjalë për lexuesit e saj:
John Macris po largohej nga shtëpia e tij në periferi të Athinës në bregdet në Voula më 31 tetor të vitit të kaluar, kur një burrë vrapoi drejt makinës së tij duke shkrepur një pistoletë. Z. Macris, një gangster greko-australian, u hodh jashtë makinës në një përpjekje të dëshpëruar për të ikur nga sulmuesi i tij, por personi i armatosur e ndoqi dhe e la të vdekur.
Disa javë më parë në Nju Jork, Sylvester Zottola, një anëtar i dyshuar i familjes kriminale Bonanno, ishte në makinën e tij, në një dyqan McDonalds, kur edhe ai u qëllua dhe u vra. Dhe kur Raul Tamudo, një futbollist ndërkombëtar i pensionuar, u kthye në shtëpinë e tij në Barcelonë më 12 gusht, pa se dikush kishte thyer dhe vjedhur koleksionin e tij të orëve, me vlerë prej më shumë se 100,000 eurosh (115,500 dollarë).
Policia tha se dyshonin se hajduti ishte një anëtar i “mafias shqiptare”. Homologët grekë dhe amerikanë gjithashtu fajësuan shqiptarët për kryerjen dhe urdhërimin, përkatësisht të vrasjeve të z. Macris dhe z. Zottola.
Të tre krimet ishin ndër të shumtat që tregonin një rritje të theksuar në nëntokën ndërkombëtare të Mafias, të gangsterëve shqiptarë etnikë. I pyetur se ku i rendiste grupet e krimit të organizuar shqiptar nga rreziku që ato paraqesin në Evropë, një zyrtar i lartë në agjencinë e zbatimit të ligjit të BE-së Europol, i vuri mafiozët shqiptarë edhe përpara homologëve rusë. Policia britanike ka deklaruar se aktivitetet e tyre janë kryesisht përgjegjëse për një rritje të kohëve të fundit të fenomenit të trafikut njerëzor. Grupet e shqiptarëve dhe kosovarëve në Britani thuhet gjithashtu se kanë vrarë dhe torturuar për t’i hapur rrugë kontrollit mbi pjesën më të madhe të tregtisë së kokainës atje, boton Javanews.
Por, thotë Jana Arsovska, e cila mëson në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut dhe ka ndjekur veprimet e kriminelëve shqiptarë për më shumë se 15 vjet, “mafia shqiptare” është një mit. Pasuria dhe dhuna ekstreme e kriminelëve që vijnë nga Shqipëria dhe Kosova nuk do të thotë se ata i përkasin një organizate të strukturuar me ritualet e zakonshme, si Cosa Nostra e Sicilisë apo sindikatat yakuza në Japoni. “Ne shohim shumë organizata që punojnë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra”, thotë zonja Arsovska. “Ata flasin gjuhën shqipe, por kjo nuk do të thotë se ato janë të lidhura me organizatat mbrapa në Shqipëri dhe nuk janë kurrë ekskluzivisht shqiptarë etnikë”, shkruan Javanews.
Disa arsye ndihmojnë për të shpjeguar se pse krimi i organizuar ishte në gjendje të hidhte rrënjë të forta në Shqipëri, pas rënies së komunizmit: shpërndarja në vitin 1991 e shërbimit të sigurimit të vendit, Sigurimi, i cili la rreth 10,000 agjentë me aftësi të përshtatshme për krimin e organizuar të papunë; kolapsi gjashtë vjet pas vitit 1990 i skemave të ndryshme piramidale shqiptare, që plaçkitën shumë njerëz nga kursimet e tyre dhe nxitën plaçkitjen e më shumë se 550,000 armëve të vogla, nga armatimi ushtarak dhe shfaqja në Shqipëri dhe Kosovë gjatë luftërave ballkanike të lidhjeve të forta mes kriminelëve, politikanëve dhe luftëtarëve guerrilas (me disa prej lojtarëve që plotësonin të treja rolet njëherësh). Nga fundi i viteve 1990, sidomos Shqipëria veriore, ku besnikëria e fiseve kishte qenë gjithmonë e rëndësishme, ishte bërë një vend i dhunshëm dhe i paligjshëm, i copëtuar nga grindjet vrastare, citon Javanews “The Economist”.
Megjithatë, ndërsa mafiozët individualë kanë emigruar, ka pak dëshmi se bandat e formuara në Ballkan janë zgjeruar ndërkombëtarisht, si Cosa Nostra ose si organizata tjetër italiane ‘Ndrangheta’. Shumë shkelës shqiptarë në Evropë u kthyen në krime pasi emigruan nga vendi i tyre. Brutalë, të pamëshirshëm dhe të dukshëm, ata janë megjithatë shumë më pak të sofistikuar se mafiozët e vërtetë. Ka pak shenja të formimit të aleancave të tyre me politikanët lokalë për të mbrojtur aktivitetet e tyre, ose pastrimin e fitimeve të tyre, përveçse në pasuri të patundshme në Ballkan. Dhe pakujdesia që i bën ata kaq të frikshëm, i bën gjithashtu të pambrojtur ndaj forcës së drejtpërdrejtë të policisë.
Arsovska citon shembullin nga Nju Jorku i organizatës “Rudaj”. Deri në vitet 1990 ishte kaq e fuqishme, saqë disa e quanin “familja e gjashtë e krimit” e qytetit. Të tjerët, me origjinë italiane, mbeten në biznes. Banda Rudaj është në burg.
Perktheu per Javanews.al: Ardit Rada
*Titulli eshte i redaksise