Sfida më e madhe për vitin e ardhshëm në sektorin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme mbetet përmirësimi i hartografisë.
Në një intervistë për Ora News, Artan Lame e cilëson të domosdoshëm përmirësimin në themel të hartografisë ndërsa absurditeti qëndron se shteti shqiptar i cili i kërkon qytetarëve të vet të regjistrojnë pronat, në fakt ai nuk i ka regjistruar ende të vetat.
Artan Lame: “Sfidë në fushën e pronësisë mbetet avancimi në procesin e mbylljes së proceseve tranzitore. Në kuadër të kësaj është regjistrimi i tokës në fshat. Ky është më i rëndësishmi. Janë rreth gjysma e familjeve që e kanë marrë tokën në fshat dhe ende e kanë të paregjistruar. Ata nuk përfshihen dot në asnjë lloj procesi përfitimi nga të gjithë imputet që ofron shteti.”
Sfidë përfshihet përmirësimi me themel i hartografisë, në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ky është shkaku që sot ka mijëra gjyqe e konflikte, dhe nuk ka takim që shkon ministri apo kryeministri dhe të mos dalë një që të thotë se nuk më regjistrohet toka.
Është absurde që shteti shqiptar nuk ka regjistruar pronat e veta dhe u bën thirrje qytetarëve hajde regjistroni pronat tuaja. Shteti shqiptar ende nuk ka përfunduar së regjistruari në zyrën e kadastrës pronat e veta. Që këtu i ka humbur e drejta morale që t’u thotë qytetarëve të shkojnë të regjistrohen. Megjithatë qytetarët duan të regjistrohen dhe shteti nuk është në gjëndje ta përfundojë këtë proces.
Përsa i përket procesit të legalizimeve, Artan Lame, deklaron se tashmë procesi po shkon drejt përfundimit dhe vëmendja është përqëndruar tek ata që nuk u legalizohet objekti
Artan Lame: Procesi i legalizimit ka hyrë në fazën përmbyllëse të tij. Mund të themi që procesi i legalizimit do të quhet i mbyllur ditën kur asnjë shqiptar nuk do të ankohet më, por për fat të keq shqiptarët që do vazhdojnë të ankohen do ketë deri në ditën e fundit, pasi sa më shumë shohin që procesi po mbyllet ata pak që kanë mbetur do ankohen më shumë. Në qarkun e Fierit është mbylllur tërësisht procesi i legalizimeve, 3 javë më parë. Kanë mbetur vetëm disa lagje brenda në Fier. 18 mijë objekte të legalizuara, ndërsa 1500 objekte janë të palegalizueshme. Por jo çdo gjë legalizohet. Ne nuk kemi premtuar se çdo gjë do legalizohet. Por asnjë qytetar që ka një banesë që nuk mund të legalizohet nuk mund të hidhet në rrugë. Aktualisht shteti i trajton me qera afatgjatë tre vjeçare. Masa të tjera parashikojmë të merren me ligjin e ri. Ajo që po mendojmë tani është si të trajtojmë këtë masë qytetarësh që kanë probleme dhe nuk mund të legalizohen në fund të procesit.
A ka punë për të rinjtë?
“Nuk bën vaki inxhinier apo topograf të trokasë tek ALUIZNI dhe tek Hipoteka dhe tu thuhet se nuk ka vende pune. Ka vende pune për specialitetet qe kanë të bëjnë me këto fusha. Hajdeni aplikoni e keni derën e hapur.”
/a.rada