Të paktën 200 shqiptarë arrestohen çdo muaj në Britaninë e Madhe, për krime që përfshijnë çështjet e drogës. Shifrat janë bërë publike nga e përditshmja britanike Express, që i referohet të dhënave nga zyrat policore në Angli e Uells. Sipas këtyre të dhënave, vetëm në 2017-ën në pranga kanë rënë 2676 shqiptarë për trafik droge, dhunë, vrasje, grabitje, krime me natyrë seksuale e kërcënime për jetën.
Gjysma e arrestimeve ndodhin në Londër, ku sipas Express-it britanik, përqendrimi i grupeve kriminale shqiptare është dhe më i lartë. Numri i shqiptarëve të shoqëruar nga policia e Londrës për krime të ndryshme gjatë 2 viteve të fundit u rrit në 8%, duke zënë vendin kryesor mes etnive të ndryshme.
I lartë është edhe numri i të burgosurve shqiptarë në burgjet e vendit, 716, çka përbën 8% të të dënuarve. Një ndër grupet më të famshme kriminale shqiptare është Hellbanianz. Sipas raporteve të mëhershme të Agjencisë Kombëtare të anti-krimit britanik, shqiptarët dominojnë botën e krimit pas forcimit të kontakteve direkte me furnizues e kokainës nga Amerika Latine.
a.cupaj