E lindur në Fier, muzikante e balerinë që jeton në Itali prej shumë vitesh, kështu e kanë prezantuar në shtypin italian, Irid Oxën.
Vëmendja te dy mikeshat seksi u rikthye sërish gjatë ndeshjeve të Kampionatit Botëror, pasi ato tashmë ishin të ftuara si opinioniste të ndeshjeve të futbollit. Por Irid Oxa ka një arsye më shumë për të qenë e përfshirë në botën e futbollit dhe ajo është dashuria.
Prej katër vitesh është në një lidhje me futbollistin e serisë A të Torinos, Afriyie Acquah, histori për të cilën thotë se askush nuk ka besuar se mund të vazhdonte kaq gjatë.
Irid prej vitesh jeton në Milano, ndërkohë që bashkë me konsolidimin e lidhjes me futbollistin e njohur ajo po planifikon hapjen e biznesit të saj në Londër. Për “Panorama Plus” tregon të rejat nga jeta e saj dhe pse nuk është gati ende të zyrtarizojë me martesë këtë histori të gjatë.
Jeton prej vitesh në Milano, por çfarë planesh ke për veten tani?
Unë tashmë po planifikoj të hap biznesin tim në Londër, por detajet do i zbuloj në një moment tjetër pasi jam bërë paksa supersticioze këto kohë.
Pse pikërisht në Londër, ka lidhje kjo me ndryshimet e ardhshme në statusin tënd?
Në Londër sepse aty kam të njohurit e mi.
Ku i kalove Krishtlindjet dhe festove pranë njeriut që do?
Po, Krishtlindjet i kalova në Paris me partnerin tim, futbollistin Acquah.
U bënë disa vite që je në lidhje me Acquah. E kishe imagjinuar veten kaq gjatë me një futbollist?
Të them të drejtën edhe vetë shoqëria e tij nuk besonte te lidhja jonë. Ata thonë se është shumë i dashuruar me mua, pasi ai kurrë më parë s’e ka vazhduar kaq gjatë lidhjen me një vajzë.
Historia juaj shkon vaj, apo ka dhe zënka që në rastin tuaj i japin adrenalinë marrëdhënies?
Realiteti është që ai nuk më lë mua. Ndodh që zihemi për xhelozi, por s’rrimë dot pa njëri-tjetrin.
Sakrifikon ti për të, je nga ato të dashurat që e ndjek partnerin edhe në stadium?
Po, unë shkoj në stadium dhe e ndjek shpesh. Por ka ca kohë që nuk e bëj më jetën time publike.
Mendon se i keni kaluar sprovat e një lidhjeje sa të mendoni për martesë dhe fëmijë?
Ne kemi katër vjet bashkë. Por në lidhje me pyetjen tuaj, jam unë ajo që s’dua fëmijë dhe as martesë. Mund t’ju duket çudi, por unë dua akoma siguri nga ana e tij. E në këtë rast nuk flas për anën materiale.
Të ka dhuruar unazën që nënkupton “tani je e zënë”?
Po, një unazë jeshile me diamante. Por unazë zyrtare, ende jo.
Flitet shumë për jetën e futbollistëve. Ti si arrin të mbash lidhje serioze me të, duke qenë se shumicën e kohës ai ndodhet në grumbullim para ndeshjeve?
Në fillim ishte e vështirë për mua, pasi ia ndieja shumë mungesën. Ndërsa tani jam ambientuar. Shihemi çdo javë dhe rrimë tre net bashkë. Dhe kur unë s’kam angazhime, rri një javë nga ai. Ndërsa kur është në grumbullim dhe unë te shtëpia e tij, s’na rrihet pa videocall.
Ke bërë ndonjë marrëzi për ta takuar kur mundësitë s’kanë qenë?
Jo vetëm unë, por dhe ai i çmendur. Njëherë, për shembull, kam dashur të futesha fshehurazi në dhomën e tij në Milano, kur ishte në grumbullim me skuadrën në Milano. Ishin para ndeshjes Milano-Torino dhe unë doja t’i hyja në dhomë. Mendoni se do thoshte jo? Kurrë s’thotë jo ai.
Mendon se të dashuron?
Po.
Për faktin se Acquah është një djalë me ngjyrë nuk u ke shpëtuar komenteve negative, siç e the dhe vetë, që janë bërë në rrjetet sociale. Si ndihesh kur përballesh me paragjykime, të cilave nuk ua ke përtuar përgjigjen?
Unë jam rritur në një shoqëri me mentalitet të hapur “very open mind”, prandaj këto paragjykime race, feje, ideje nuk bëjnë pjesë në botëkuptimin tim. Ndaj nuk kam përtuar të reagoj. Unë jetoj brenda kufirit të lirisë sime, veproj brenda limitit të lirisë sime, e cila mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. Kështu, nuk cenoj dhe nuk dhunoj interesat e askujt. Ndaj revoltohem me njerëzit keqdashës që lëshojnë ofeza pa u lënë shkas./a.c