Policia e Tiranës ka rënë në gjurmët e autorit të vrasjes së Griselda Gjikolës dhe plagosjes së mikut të saj Erion Bengo. Burime nga blutë konfirmuan për Tv Klan se gjatë natës të së premtes janë bërë kontrolle në disa ambiente, por autori i krimit nuk është mundur të arrestohet.
Policia dyshon se 19-vjeçari ndodhet ne Tiranë dhe kërkimet për të vazhdojnë edhe këtë të shtunë. Në pranga për këtë krim është Ronald Muzhaqi i cili dyshohet se është personi që e ka ndihmuar autorin të largohet nga vendin i ngjarjes. Të dy janë fiksuar nga kamerat e sigurisë teksa po largoheshin me vrap nga vendi i krimit. Muzhaqi pritet të dalë të dielën para gjykatës ku do të njihet me akuzën e përkrahjes së autorit të krimit.
Policia ka marrë në pyetje edhe personat që kanë qenë në makinë bashkë me 17-vjeçaren dhe të dashurin e saj. Erion Bengo u tha hetuesve se konflikti me autorin e krimit kishte nisur 10 ditë më parë në një lokal, pasi ai kishte ngacmuar Griseldën. Më pas ishin qëlluar me grushte për 17 – vjeçaren për të cilën Bengo pretendon se ka patur vetëm lidhje miqësore.
a.cupaj