Erjon Benga, 23-vjeçari që u plagos gjatë atentatit ku mbeti e vrarë Griselda Gjikola, ka dhënë dëshminë e tij për oficerët e Policisë Gjyqësore, në ambientet e Spitalit të Traumës. Ai ka mohuar të ketë pasur lidhje dashurie me viktimën, duke thënë se e kishte njohur përmes një shoqes së tij dhe ishin ulur për të pirë kafe.
Ndërsa ka shpjeguar së në momentin që është qëlluar me armë drejt makinës së tij, ai sapo kishte dalë nga kafja pranë vendit të ngjarjes dhe do të dërgonte në shtëpi 17- vjeçaren Gjikola.
Nga ana tjetër ka thënë se nuk ka parë se kush e ka qëlluar, pasi përveç errësirës në atë zonë, është gjendur në befasi, duke qenë se nuk e priste një sulm të tillë, për më tepër që i ka ardhur nga pas. I pyetur nëse e njeh personin e dyshuar, të shpallur në kërkim për ngjarjen, ai ka deklaruar se në dy raste ka pasur konflikte me të, por pa dhënë detaje për motivet e sherrit.
Autori
Një 19-vjeçar nga Tropoja e banues në Tiranë dyshohet të jetë autori i atentatit ku mbeti e vrarë adoleshentja Griselda Gjikola e u plagos Erjon Benga, në Laprakë. Burime nga Policia thanë se është bërë shpallja në kërkim e shtetasit Robert P., ndërsa personi që e ka ndihmuar gjatë dhe pas ngjarjes është arrestuar.
Forcat e Policisë së kryeqytetit kanë ushtruar kontroll në disa banesa, të prindërve dhe të të afërmve të të dyshuarit, por deri në orët e vona të mbrëmjes nuk është arritur të gjendet. Ndërsa, nisur nga deklarimet e dëshmitarëve dhe disa personave të njohur të 23-vjeçarit të plagosur, Benga, i dyshuari ishte konfliktuar me këtë të fundit, për shkak të 17-vjeçares Gjikolaj, të cilën e pëlqenin të dy.
Madje, në momentin që autori i dyshuar ka mësuar se vajza që ai pëlqente ishte lidhur me Erjon Bengën, ishte konfliktuar edhe fizikisht me të disa ditë më parë. Nga ndërtimi i skenës së krimit, nisur nga deklarimet e dëshmitarëve dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, Policia dyshon se 19-vjeçari Robert P. e ka pritur çiftin sa të dilte nga lokali ku po pinin kafe, pak metra larg vendit ku ata kishin parkuar makinën.
Në momentin që i ka parë duke u futur në makinën tip “Mercedez Benz”, me targa AA 266 MS, ai është afruar duke qëlluar të paktën 4 herë me armë zjarri. Autori ka qëlluar nga xhami i pasmë i makinës në krahun e shoferit, ku ndodhej i plagosuri, por plumbat kanë goditur edhe 17-vjeçaren që ndodhej në sediljen e parë./panorama
\a.meta