“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e kësaj të enjteje veprimet e Policisë Rrugore, e cila gaboi targën e një automjeti që ishte përfshirë në aksident në Tiranë. Ky gabim i kushtoi shtrenjtë qytetarit Besjan Uraj, makina e të cilit “u ngujua” për muaj me radhë. Uraj thotë se në muajin shtator po kthehej nga Spitali i Shkodrës, ku kishte shtruar një fëmijë në spital.
“Kur po kthehesha, në një kryqëzim më ndalon policia dhe më thotë se duhet të shkoja me ta në komisariat, pasi makina ime ishte përfshirë në një aksident. I thashë s’kam bërë asnjë aksident. Jo më thanë. Targa jote rezulton se ka bërë aksident në Tiranë. Unë po bëj 3 vite që s’kam qenë në Tiranë, me makinë jo e jo. Unë kam një “Golf 5”. Më shoqëruan në komisariat dhe më thanë se po më prisnin letrat për në burg.
I sqarova edhe njëherë se s’kam bërë asnjë gjë. Telefonova një mikun tim dhe më ndihmoi. Më solli një letër, fotokopje, se targa e makinës sime ishte vënë gabim në sistem, pasi aksidentin në Tiranë e kishte bërë një mjet “Opel” dhe jo “Golf”. Madje, në timon ka qenë një femër. Polici i Tiranës e kishte shënuar targën AA 491 TX. Kjo targë është e mjetit tim, ndërsa ai duhej ta kishte bërë AA 491 DX. Pas verifikimit më lanë për 30 minuta”, thotë qytetari.
Më tej, ai shton se arriti ta nxjerrë makinën.
“Pas disa javësh më ndalojnë sërish. Makina nuk ishte hequr nga sistemi me ‘Alert’. E nxjerr sërish dhe vendos që ta shes. Blerësi e provon dhe e ndalojnë para pak javësh. Më thotë se ka probleme dhe se targa është në sistem ende”, shton Besjani, ndërsa thotë se ka shkuar disa herë në Policinë e Shkodrës dhe i kanë thënë se nuk kanë ç’ti bëjnë.
Pas ankesës, qytetari shkon në Policinë e Shkodrës, për të pyetur nëse makina e tij ka apo jo probleme. Policët e shikojnë në sistem dhe i thonë se ka ende probleme. Targa është në sistem dhe nuk është hequr.
Qytetari i kërkon edhe një shkresë që e ka dorëzuar vet në Policinë e Shkodrës. Polici i ngre zërin dhe i thotë se nuk e ka ai.
“Ta gjejë kush të dojë. Shko në një sportelist tjetër”, i thotë ai.
Qytetari shkon te sportelisti tjetër dhe i thonë se ia ka dhënë punonjësit të parë. Pas shumë sorollatjesh në Policinë e Shkodrës, i thonë se letra është në Tiranë dhe të shkojë ta kërkojë atje.
Qytetari detyrohet që të vijë në Tiranë dhe shkon te Policia Rrugore. I tregon problemin dhe i thonë se makina është ende në sistem. Punonjësit e policisë, pasi e sorollasin për gati një ditë, e pranojnë më në fund se është bërë një gabim dhe do të interesohen në Policinë e Shtetit.
Krahas qytetarit, “Fiks Fare” interesohet pranë Policisë Rrugore në Tiranë, ku mëson se punonjësi i policisë ka gabuar targën e një aksidenti të ndodhur në shtator të vitit 2018. Ata pohojnë se do të veprojnë shumë shpejt dhe do ta heqin nga sistemi. Pas më shumë se 3 muajsh “e ngujuar”, automjeti tashmë do të lëvizë lirisht.
“Falënderoj emisionin ‘Fiks Fare’, jeni të mrekullueshëm”, tha qytetari./a.meta