Nga Mero Baze/
Opozita po përpiqet të prodhojë lajme me procedurat e një leje nga policia për një protestë para Kryeministrisë, duke prodhuar vetë lajmin, vetë reagimet ndaj lajmit dhe vetë paralajmërimet se çfarë do të ndodhë si reagim ndaj lajmit.
Historia është më shumë ilustrim i krizës së opozitës për të nxitur një protestë dhe përpjekjes së saj “për të bërë bukë me miell hua”, se sa ndonjë problem real me policinë.
Ligji shqiptar i tubimeve ja ka hequr policisë të drejtën të të pengojë të bësh tubime. Ti ke detyrim vetëm të lajmërosh policinë dhe të dorëzosh pranë saj një listë me personat përgjegjës për protestën. Pas kësaj, policia të kthen përgjigje, nëse ajo merr përsipër sigurinë në protestë, apo jo, për shkak të vlerësimit që i bëhet situatës.
Ajo që ka ndodhur, është më shumë se banale. Një qytetar i vet-identifikuar si emigrant, i ka kërkuar policisë leje për protestë, ndërsa policia i ka kërkuar se duhet një listë personash përgjegjës për protestën, ndryshe ajo nuk merr përsipër sigurinë e protestës, por jo se pengon protestën.
Me këtë banalitet ka 12 orë që opozita po bën politikë, me shpresë se do të shërbejë si mekanizëm publiciteti.
Më tej akoma, Presidenti i Republikës ka ofruar oborrin e Presidencës për protestë. Kjo e ka bërë dhe më qesharake situatën, pasi nuk është e qartë nëse protesuesit në oborrin e Presidencës, do protestojnë me fytyrë nga Presidenti dhe bythë nga Kryeministria, apo me bythë nga Presidenti dhe fytyrë nga qeveria.
Aq më tepër, nuk kuptohet pse do futet ajo masë prej “mijëra njerëzish” brenda hekurave të rrethimit të zyrës të Ilir Metës, për t’u dukur opozitë e LSI, apo për t’u mbrojtur nga shteti “policor” i Sandër Lleshit.
Ky banalitet, që me sa duket është gjetur si element publiciteti, po bën efektin e kundërt, pasi tregon krizën që ka opozita për të mbledhur njerëz në shesh dhe përpjekjet e saj t’i nxjerrë gështenjat herë me duar të studentëve, herë me duar të emigrantëve, sikur të jetë opozitë ilegale.
Protesta e vërtetë nuk ka nevojë për kaq shumë procedura, kaq shumë lajmërime dhe akoma më keq, kaq shumë ankesa për procedurën e policisë.
Protesta e studentëve për shembull, nisi pa lajmëruar fare policinë, por se pengoi kush. Dhjetra protesta në Shqipëri, mund të nisin kështu.
Lajmërimi i policisë është një korrektesë ligjore, që ta bësh policinë bashkëpunuese në sigurinë e protestës, por policia nuk ka kurrsesi tagër të të ndalojë të protestosh në këtë vend. Kjo liri është fituar me kohë.
Por lira për të protestuar, nuk është e njëjtë me aftësinë për të bërë protesta. Opozita jonë nuk ka problem me lirinë, ka problem me shpërdorimin e lirisë, me shpërdorimin e institucionit të opozitës, dhe mbi të gjitha, me mosbesimin që shoqëria ka tek kjo.
Dhe kjo gjë nuk rregullohet me leja nga polica.