Giorgio Chiellini pranon se, kur Juventusi ka pasur nevojë për Ronaldon më shumë në këtë sezon, “Cristiano është treguar Cristiano”. Superstari portugez u hodh në fushë si zëvendësues nga kampionët e Serie A, në përpjekje për të evituar humbjen e parë në kampionat, në transfertën e Bergamos.
Dhe CR7 shënoi e barazoi rezultatin, duke i shpëtuar bardhezinjtë nga “turpërimi” i papritur. Ai nuk ka zhgënjyer, me 13 gola të shënuar në të gjitha garat, deri më tani.
Kapiteni Chiellini i tha “Sky Sport Italia”, pas kontributit jetik të shokut të skuadrës ndaj Atalantës: “Këtë sezon, kanë qenë tri momente, në të cilat jemi vënë në vështirësi: ndeshjet kundër Napolit, Empolit dhe Atalantës.
Nuk është rastësi, që në këto tri ndeshje, Cristiano ka qenë Cristiano.
Ronaldo është një lojtar vendimtar, ne e dinim këtë. Në momentet themelore, ai arrin të nxjerrë diçka shtesë, që e ka përbrenda. Iu dha një pushim ndaj Atalantës, sepse nuk mund të jeni gjithmonë në krye, kur luani kaq shumë ndeshje. Por, Ronaldo mundi të jetë vendimtar edhe në 20 minuta lojë”. (Tema)