Partizani po punon në merkaton e janarit dhe drejtuesit janë të qartë se duan të afrojnë të paktën 1 mbrojtës. Burime të sigurta të Telesport pranë klubit të “demave” bëjnë me dije se emri që ka dalë së fundmi në listë është ai i Renato Arapit.
Ky i fundit pëlqehet nga drejtuesit dhe stafi teknik. Ai ka lënë shije të mirë dhe në periudhën që ka luajtur me të kuqtë para se të transferohej në Turqi.
Të njëjtat burime saktësojnë se palët kanë nisur kontaktet dhe gjithçka mund të mbyllet me sukses. 32-vjeçari nuk ka qenë lojtar stabël në ekipin e tij të Afjet Afyonsporit duke luajtur vetëm 8 ndeshje në total me skuadrën e tij. Kjo ka bërë që futbollisti me eksperiencë të mendojë largimin dhe drejtuesit të mos e pengojnë.
Në garë për Arapin është dhe Teuta, por pista e Partizanit mund të jetë më e pëlqyera duke qenë se lojtari e la një aventurë përgjysmë me klubin kryeqytetas. “Demat” kanë nevojë për alternativa në mbrojtje dhe largimi i Renato Gojkovicit i lë hapësirë për të ndërhyrë. Të shohim dhe të presim se si do të shkojë.
/telesport/a.r