Rusia ka paralajmëruar Turqinë që të mos e pengojë Qeverinë e Sirisë që t’i kthejë prapa territoret që ishin marrë nën kontroll nga trupat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përderisa Erogan po përgatitet që t’i luftojë kurdët në një qytet të Sirisë.
Ministria e Jashtme në Kremlin ka thënë se pret që territoret t’u kthehen forcave të Assadit, pas njoftimit për tërheqje të forcave amerikane në javën e kaluar, një vendim që ka befasuar aleatët, duke shkaktuar edhe dy dorëheqje në zyrën e Trump.
Turqia ka thënë se është duke punuar me Uashingtonin për tërheqjen e trupave amerikane, por thotë se mbetet e vendosur që t’i shfarosë aleatët kurdë të SHBA-së nga Manbiji në veri të Sirisë.
Sot janë publikuar fotografi që dëshmojnë se Turqia po transporton artilerinë e saj ushtarake në kufi me Sirinë. Po ashtu, edhe trupat e Assadit dhe forcat ruse kanë nisur zbarkimin në vijën e frontit përreth qytetit.
Dje, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova ka theksuar se territoret në lindje të Sirisë do të duhej që t’i jepeshin nën kontroll Qeverisë së Sirisë, sipas të drejtës ndërkombëtare.
Ajo ka thënë se nuk di detaje nga plani i tërheqjes së trupave amerikane nga Siria, por ka shtuar se vendimi do të ndihmojë marrëveshjen paqësore që të implementohet. “Nëse ndodh tërheqja e trupave, do të kishte një impakt pozitiv”, ka thënë Zakharova./a.meta