Pak ditë më parë, pas kthimit nga Turqia, efektivja që u plagos në protestën e banorëve të “Astirit” Ina Nuka është pritur nga kryeministri Edi Rama dhe nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Gjatë takimit të tyre në zyrën e kryeministrit, Rama i premtoi efektives një shpërblim financiar.
Pasditen e së mërkurës është publikuar edhe Vendimi i Këshillit të Ministrave, ku kryeministri Rama ka vendosur dhënien e shpërblimit për 12 muaj për Ina Nukën.
Vendimi
PËR DHËNIE NDIHME FINANCIARE ZNJ. INA GAVROSH NUKA, INSPEKTOR, PUNONJËS POLICIE I PLAGOSUR NË KRYE TË DETYRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Dhënien e ndihmës financiare, në masën e 12 (dymbëdhjetë) pagave mujore, znj. Ina Gavrosh Nuka, inspektor, me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme, motorist, në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, e plagosur në krye të detyrës për vendosjen e rendit dhe të sigurisë publike.
2.Efekti financiar, në vlerën 792 000 (shtatëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
3.Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
/a.rada