Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përsëriti se nuk do të ketë asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.
Ai foli edhe për mundësinë e një marrëveshje finale me Serbinë, ku tha se e mbështet ekipin e ri negociator dhe pret unitet nga spektri politik kosovar.
Në fjalimin e tij, të cilin nuk e dëgjuan në sallë deputetët e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kreu i Shtetit përmendi edhe Adem Demaçin dhe Fadil Vokrrin, ku tha se vdekja e tyre ishte humbje e madhe për Kosovën.
Në fjalimin e tij të fundvitit, Presidenti Thaçi tha se Kosova është e përkushtuar për dialog dhe paqe, dhe po angazhohet me të gjitha forcat që sa më parë të jetë shtet anëtar në NATO dhe Bashkim Europian.
Thaçi tha se Kosova ka nevojë për qeverisje më efektive, që të jetë më afër qytetarëve dhe të realizojë të drejtat e tyre për një jetë më të mirë. E për këtë, tha se pret angazhim nga të gjithë.
Gjithashtu ai foli për takimet e tij me krerë të shteteve mike e vizita jashtë vendit. Por, sipas tij, dhimbje është përjetuar me mospranimin e Kosovës në Interpol dhe mosliberalizim të vizave, ndërsa foli edhe për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.
Presidenti i Kosovës foli për armiqësinë shekullore me Serbinë, përmendi 13 mijë e 500 civilë të vrarë në Kosovë nga forcat serbe, 20 mijë gra të dhunuara, mijëra të pagjetur, rreth 1 milion qytetarë të dëbuar dhunshëm dhe 40 për qind infrastrukturë të dëmtuar në vend. Megjithatë, ai tha se është koha të shikojnë nga e ardhmja, të fitohet paqe me Serbinë.
Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, presidenti Thaçi tha se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë përfundimtare, gjithëpërfshirëse, e arritur në proces paqësor ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA. Ai përsëriti se marrëveshja duhet t’i sjellë Kosovës njohje nga Serbia.
Në fjalimin e tij të fundvitit, Thaçi përmendi heroin Adem Demaçi dhe legjendën e futbollit Fadil Vokrri, të cilët u ndanë nga jeta sivjet. Siç tha ai, humbja e tyre ishte e rëndë për vendin.
/a.rada