Largimi më herët se sa pritej i sekretarit amerikan të Mbrojtjes Jim Mattis, e ka zhvendosur vemendjen tek emërimi nga presidenti Donald Trump i një shefi të ri të Pentagonit.
Zëvendëssekretari i Mbrojtjes Patrick Shanahan do të jetë sekretari në detyrë i mbrojtjes duke filluar nga 1 janari, sipas një njoftimi të Presidentit Trump me një koment në Tëitter të dielën.
Zoti Shanahan ka punuar për më shumë se tre dekada në kompaninë Boeing dhe ishte zëvendëspresident i kompanisë kur mori postin e zëvendës shefit të Pentagonit në korrik 2017.
Zyrtarët amerikanë thanë se nuk e dinë nëse zoti Shanahan do të jetë kandidati i presidentit për postin e shefit të ri të Pentagonit për të zëvendësuar zotin Mattis.
Në Shtetet e Bashkuara është mjaft e pazakontë që Pentagoni të ketë një sekretar në detyrë. Historikisht, kur një sekretar i mbrojtjes jep dorëheqjen, ai qëndron në post deri në konfirmimin e një pasardhësi.
Dorëheqja e zotit Mattis shënoi fundin e tensioneve në marrëdhëniet midis tij dhe presidentit Trump që ishin thelluar muajt e fundit. Javën e kaluar thyerja mes tyre u bë e plotë pas vendimit të zotit Trump për të tërhequr trupat nga Siria. Ajo u bë publike me letrën e dorëheqjes që zoti Mattis i paraqiti presidentit. (Tema)