Al Kaeda po “rizgjohet” e po kërkon të organizojë sulme ndaj avionëve të pasagjerëve në Europë. Paralajmërimi vjen nga Sekretari britanik i Sigurisë, Ben Wallace, i cili tha në një intervistë për “The Sunday Times” se rrjeti terrorist, autor i episodit famëkeq të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, synon përsëri goditjen e aviacionit civil dhe po zhvillon teknologji për rrëzimin e avionëve.
“Kërcënimi është real”, këmbëngul Wallace. Al Kaeda po riorganizohet sipas tij, ndërsa militantët e saj janë duke thurur komplote të tjera kundër Europës dhe janë familjarizuar me metodat e reja.
Rritja e ISIS-it e eklipsoi kërcënimin e Al Kaedës këto vitet e fundit, i cili u zbeh sidomos pas vrasjes së kreut të saj Osama bin Laden në vitin 2011. Por ministri britanik këmbëngul se ai nuk u zhduk kurrë plotësisht.
Krerët e shërbimit informativ anglez janë gjithashtu të shqetësuar nga vendimi i Donald Trumpit për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, gjë që do të krijonte – sipas Wallace, – një “parajsë të re të sigurtë për ekstremistët islamikë, që të ndërmarrin sulme kundër Perëndimit”.
Komentet e tij ishin të një linje me ato të senatorit amerikan, Lindsey Graham, i cili ka deklaruar se tërheqja e ushtarëve amerikanë nga Lindja e Mesme mund të çojë në një 11 shtator të dytë./a.meta