Tri ditë përpara Krishtlindjes, “jelekverdhët” e pakësuar ndjeshëm francezë dolën sërish në rrugë për të protestuar për të gjashtën fundjavë radhazi, duke shënjestruar tashmë pikat kufitare, ndërkohë që një aksident fatal rrugor e çoi numrin e viktimave në 10, që prej nisjes së kësaj lëvizjeje “antiMacron” muajin e kaluar.
Rreth 38 mijë e 600 francezë morën pjesë në protestat e kësaj të shtune në Francë, në disa qytete të vendit, shumë herë më pak sesa 66 mijë protestuesit e fundjavës së kaluar, sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Brendshme. Ajo shtoi gjithashtu se 220 persona u prangosën në mbarë vendin, 81 prej të cilëve vijojnë të mbeten në qelitë e paraburgimit.
Numri i demonstruesve ka ardhur gjithnjë në rënie, që prej shifrës rekord prej 282 mijë njerëzish në protestën e së shtunës së parë, kundër rritjes së planifikuar të çmimit të karburanteve, më 17 nëntor.
Lëvizja, e karakterizuar nga jelekët e verdhë fosforeshentë që u veshën nga protestuesit, u kthye më pas në një demonstratë mbarëkombëtare kundër politikave të presidentit Macron dhe stilit të tij qeverisës.
Ministrja e Shëndetësisë, Agnes Buzyn tha për “Le Journal du Dimanche” se qeveria e Macronit “ishte në të njëjtën linjë me kërkesat e jelekverdhëve”, teksa bëri thirrje për “dialog më konstruktiv”.
Kryeministri Edouard Philippe, ndërkohë, duke folur për të njëjtën gazetë tha se marrëdhënia e tij me Macronin vetëm sa është “intensifikuar” përgjatë kësaj krize, në vend që të ishte përkeqësuar siç është raportuar në media. “Ne flasim përditë dhe kemi mësuar shumë gjëra të reja së fundi”, tha ai.
Në Paris, skenë e përplasjeve të dhunshme gjatë demonstratave të mëparshme, rreth 2.000 protestues u bashkuan me grumbujt e njerëzve në disa rrugë, krahasuar me 4.000 gjatë javës së kaluar. E pavarësisht numrit më të pakët, me të rënë muzgu në sheshin e famshëm “Champs Elysees” shpërtheu sërish dhuna, duke shkaktuar mbylljen e dyqaneve e bizneseve që ishin ende të hapura për shkak të fundjavës përpara Krishtlindjes.
Policia pariziene tha se kishte arrestuar 142 persona, 19 prej të cilëve mbeten në paraburgim, përfshi këtu edhe kreun e “jelekverdhëve” Eric Drouet. Zëdhënësi i qeverisë, Benjamin Griveaux shfrytëzoi rrjetet sociale për të shkruar se “pas dhunës fshihej e njëjta fytyrë frikacake, raciste, antisemite dhe puçiste”. Top Channel