Lulzim Basha deklaroi dje se nuk e ka përdorur kurrë lejen për ndërtimin e katit të 13-të që ka firmosur vetë kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe se ajo leje ka skaduar, por e vërteta është ndryshe dhe faktet tregojnë krejt të kundërtën. Siç mund ta shihni edhe nga kjo foto, duken qartë dy katet e banesës së Lulzim Bashës. Në këtë pallat ai zotëron katin e 12 dhe të 13. Në ikje e sipër, ish-kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha do t’i jepte vetes një leje për ndërtimin e një kati shtesë në pallatin 12 katësh ekzistues, në të cilin ai jeton prej disa vitesh në rrugën “Dervish Hima” në kryeqytet, në zonën e njohur si kullat e stadiumit “Qemal Stafa”.
Leja daton në vitin 2014, ndërsa firma e përzgjedhur për ndërtimin e këtij objekti siç shihet dhe në faksimile është “Archimed International sh.p.k”. Apartamenti përmban oxhak, hapësira të veçanta për gatim dhe për ngrënie, dhomat e veçanta për fëmijët, ndërsa nuk mungojnë edhe abazhurët dhe pikturat e shtrenjta. Këtë leje Basha ia ka dhënë vetes në konflikt të pastër interesi, duke qenë se ka firmosur një leje ndërtimi nga e cila ka përfituar direkt vetë, njofton bashkia Tiranë
Po ashtu, ajo leje është në kundërshtim me kushtet urbane, çka përcjell tek qytetarët modelin më të shëmtuar se si zaptohet një hapësirë publike dhe si rrezikohet jeta e banorëve të pallatit ku banon, sepse kati I 13-të cilësohet edhe si shtesë në volumin e pallatit. Po ashtu, bie në sy fakti se në Tiranë nuk ka raste të tjera ku lejohet shtesë kati e një objekti ekzistues të kësaj lartësie, apo të një lartësie më të ulët. Por, ndërtimi i katit të 13-të nga Lulzim Basha ka rezultuar një fatkeqësi e madhe edhe për banorët e pallatit.
Përveç֛se dikur banorëve iu është dashur të provonin terrorin e zhurmës dhe të pluhurit gjatë kohës që Basha ka ndërtuar katin e 13-të shtesë, sot ata vuajnë mungesën e ashensorit dhe të aksesit në tarracë, e cila konsiderohet në fakt hapësirë e përbashkët, por që realisht shfrytëzohet vetëm nga Basha. Për ashensorin banorët janë ankuar disa herë, pasi konsiderohet si hapësirë e përbashkët. Gjithsesi, Kryetari i PD-së e ka privatizuar ashensorin e pallatit pikërisht për t’u ngjitur direkt në katin e 13-të, pa pasur kontakt me komshinjtë./a.ç