Drafti për ndryshimet ligjore, pjesë e paketës antishpifje po shqyrtohet nga autoritetet e Brukselit. Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka kërkuar opinion nga zyrtarët e BE-së. Në një komunikim me Delegacionin, Ora News ka mësuar se përgjigjja nga Brukseli pritet të mbërrijë në kryeqytetin shqiptar gjatë janarit, pas rikthimit nga festat e fundvitit.
Drafti për ndryshimet ligjore është kundërshtuar nga përfaqësuesit e mediave, të cilët thonë se qëllimi i ligjit është t’u mbyllë gojën mediave online dhe jo të rregullojë tregun.
Grupi nismëtar i Këshillit të Ministrave përgjigjet që modeli për bërjen e këtij ligji është marrë nga Kroacia, duke respektuar direktivat e Bashkimit Europian.
Drafti parashikon gjobë për portalet dhe televizionet të cilat publikojnë lajme të rreme dhe nuk marrin në konsideratë ankesat e qytetarëve.
Në draft është vendosur që portalet të gjobiten me 100 mijë deri në 1 milion lekë.
E njëjta procedurë është edhe me televizionet, por me një masë më të reduktuar të gjobës, jo më shumë se 400 mijë lekë.
Krahas kësaj, gjoba fikse prej 800 mijë lekësh parashikohet kur ankesa e qytetarit nuk merret në konsideratë nga Operatori i Publikimit të Shërbimit Elektronik.
Por jo vetëm kaq, është rregulluar me ligj që nëse një portal merr nga Autoriteti i Medias Audiovizive 5 masa administrative, atëherë AKEP pezullon deri në 1 vit me internet median në fjalë.
a/meta