Qeveria ka miratuar planin strategjik të reformimit për sektorin energjetik, i cili mund të sjellë rritjen e çmimeve të energjisë për shumë konsumatorë duke filluar nga viti 2020. Sipas dokumentit, brenda tremujorit të parë të vitit tjetër, institucionet përgjegjëse, ku bëjnë pjesë enti rregullator, qeveria dhe Ministria e Energjisë, do të miratojnë hapat që duhen ndërmarrë për liberalizimin e tregut dhe derregullimin e çmimeve të energjisë.
Këto hapa do të mundësojnë që të gjithë konsumatorët e lidhur në tensionin e ulët, përveç familjeve, të dalin nga tregu i rregulluar i energjisë, pra të mos furnizohen më me çmim të rregulluar si tani, por ta blejnë energjinë në treg të lirë.
Megjithatë, dokumenti sinjalizon se çmimi i energjisë mund të ndryshojë edhe për familjarët, pasi vetë qeveria shprehet se reforma e tarifave mund të kërkojë mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë.
Ky element i politikave të reformës dhe të tjerë elemente përforcojnë nevojën për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë.
Plani ka të detajuara të gjitha masat që do të ndërmerren bashkë me afatet përkatëse. Sipas tij, skema e re tarifore do të miratohet në fund të vitit të ardhshëm deri në tremujorin e tretë të vitit 2020 dhe po në këtë periudhë qeveria do të miratojë skemën mbështetëse për konsumatorët në nevojë.
Plani i ri parashikon ndryshime të rëndësishme në tregun e energjisë, duke përfshirë dhe privatizimin e plotë të furnizimit tek investitorë strategjikë. Kjo do të thotë që OSHEE do të mbetet shtetërore vetëm në pjesën e administrimit dhe mirëmbajtjes së rrjetit të shpërndarjes, ndërsa furnizimi dhe faturimi i energjisë do t’i kalojnë privatit./a.meta