Në shfaqjen publike, klasa politike u orfon njerëzve ose alternativë, ose xheste alternative. Ose thelb, ose dukje. Ose kauza, ose shfaqje. E kështu me radhë në varësi të asaj, se me çfarë në fund të fundit ke vendosur që të qeverisësh nesër.
E që të qeverisësh nesër për një opozitë, në gjithë botën, në gjithë historinë e shoqërisë njerëzore, do të thotë të zgjedhësh mes dy rrugëve: Ose do të përfaqësosh forcën e moralit, ose do të përfaqësosh moralin e forcës.
Opozita jonë, e ka zgjedhur apo nuk di të bëjë gjë tjetër, por natyrshëm përfaqëson rrugën e dytë. Pra, ka zgjedhur të përdorë dhunën si mjet për tu rikthyer në pushtet. Dhunën verbale, dhunën në kuptimin parësor të kësaj fjale dhe çdo formë tjetër të saj, në një demokraci parlamentare.
Edhe pasi rikthehet pas 6 muajsh bojkoti në Kuvend, opozita jonë nuk zgjedh që të shpjegojë se përse doli nga ajo sallë apo përse u rikthye sërisht aty, sepses ka se çfarë të shpjegojë. E kuptoi edhe bufi se ishte thjeshë hall mandatesh e rrogash. Dhe si e kompenson që të mos e gjykojnë për këtë? Gjuan me vezë në sallë si një protestues i rëndomtë!
Opozita jonë nuk tregon se çfarë kauze kishte këto gjashtë muaj dhe se cfarë u bë e cfarë arriti me të, por në vend të kësaj nxjerr nga kushedi se ku një kokërr vezë dhe gjuan që ta shohin kamerat në Parlament.
Opozita jonë edhe kur nuk ka se çfarë të thotë për shkarkimin e Adriatik Llallës, gjuan me çizme. Edhe kur nuk debaton dot për kërkesat e studentëve, edhe kur nuk dialogon dot për to, edhe kur nuk u del dot për zot, pavarësisht se u ka grabitur sheshin, gjuan me letra boshe. Edhe kur nuk i jep dot përgjigje popullit opozitar për mungesën e artikulimit të nevojave të grupeve të interesit dhe adresimit të tyre politikisht e në rrugë parlamentare, nuk di të bëjë gjë tjetër veçse të bëjë rrëmujë, të shajë me libër shpie, të bërtasi, ulërasi, shkuli mikrofona e të përplase karrike.
E pse bëhen të gjitha këto?
Eshtë fare e thjeshtë. Jetojmë në epokën e konsumit të imazhit me shpejtësinë e erës nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mediave online. Ku më shumë se thelbi, më shumë se mendimi, më shumë se gjykimi, më shumë se saktësia, më shumë se e vërteta, më shumë se morali, më shumë se e drejta, ka vlerë diçka krejt tjetër.
Sepse jetojmë në epokën kur pot ë godasësh me çizme është lajm. I madh shumë madje. Me të e shtyn ca ditë. Po të përleshesh fizikisht e të tentosh të godasësh kundërshtarin politik, je lajm edhe më i madh. Madje të marin të gjitha mediat dhe ti je ylli politik i asaj dite.
Po të shkosh përballë Kryeministrit e nuk ke gjë për të thënë, por ke një letër për ta gjuajtur, ky po që është lajm mbi të gjitha lajmet. E krejt papritur, nga një njeri që askush nuk e di se ku punon, e marin vesht menjëherë se qenke jo vetëm deputet, jo vetëm deputet i opozitës, por edhe me shumë prespektivë madje. Sepse të kanë parë të gjithë në facebook!
Po nëse je një deputet që as nuk e kupton se çpo ndodh, e as se ku ndodhesh, ae s se pse ndodhesh dhe stë ka marë njeri deri atë çast në konsideratë, ke një mënyrë gjeniale sot për të qenë më në fund edhe ti dikushi në këtë skenë, që quhet politika e madhe e këtij vendi.
A e dini si?
Mer një vezë, fute diku… dhe atëherë kur të gjitha kamerat janë duke parë veç në një pikë, shko atje papritur, nxirre atë kokërr magjike nga atje…dhe gjuaje. E pas kësaj, veç pas kësaj, do të kuptosh se përse i thonin asaj gjësë: “Veza e Kolombit”. Sepse ajo paska magjinë që të të bëjë në çast të jesh gjithkush dhe paska mbi të gjitha edhe vetinë, për të të bërë që të ndjehesh më në fund, edhe ti dikush! Sepse ti tani je gjithkush. Je ai. Ai pra. Nuk e mbani mend? Ai që gjuajti me ashtu, atë…
Pas kësaj më në fund, të gjithë janë më të qetë dhe më të lumtur në këtë vend. Sepse vërtetë asnjë problem nuk u artikulua, e asgjë nuk u adresua dhe asgjë nuk u zgjidh, por ama diçka më e madhe u arrit. Më në fund, pas shumë shekujsh diskutime, u gjet përgjigja e pyetjes që ka mundur ndër breza jo vetëm shqiptarët, por gjithë njerëzimin.
Pas kësaj të enjtje të gjithë e dimë tashmë përgjigjen e pyetjes, nëse e bëri opozita vezën, apo veza opozitën tonë!