Teherani zyrtar ka reaguar pas dëbimit të diplomatëve iranianë nga Shqipëria.
Zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme, Bahram Qasemi, tha se Shqipëria e ka marrë këtë “masë të padëshiruar” në linjë me skenarin amerikan, izraelit dhe të disa vendeve të tjera për të dëmtuar marrëdhëniet e Iranit me Europën.
Në një prononcim për agjencinë iraniane të lajmeve “IRNA”, Qasemi kujtoi se Irani gjithmonë ka gëzuar “marrëdhënie të përzemërta” me Shqipërinë dhe ka respektuar të gjitha rregullat e këtij vendi evropian, bazuar në principet e politikës së jashtme të Republikës Islamike të Iranit.
Duke marrë parasysh faktet se SHBA ishte shteti i parë që reagoi pas dëbimit dhe komentet e Shqipërisë se kjo masë ishte ndërmarrë në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë të vendeve të tjera, sipas Qasemit provojnë se pas qëndron Uashingtoni dhe Tel Avivi.
Agjencia zyrtare e lajmeve IRNA citoi zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme Bahram Ghasemi të thoshte se “Shqipëria është bërë një viktimë e paqëllimtë e Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe disa grupeve terroriste. Shqipëria nuk duhet të lejojë diktimin e marrëdhënieve tona”.
Të mërkurën, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi dëbimin nga Shqipëria të Ambasadorit të Iranit në Tiranë, Golamhosein Mohamadnia dhe një tjetër diplomati, pas dyshimeve se ishin të përfshirë në planifikimin e një sulmi terrorist në vendin tonë.
a.çupaj