Partia Demokratike, nëpërmjet Jorida Tabakut dhe Gazmend Bardhit, ka denoncuar dje një tjetër “skandal” për “Unazën e Madhe”.
Sipas tyre, Rama e Veliaj kanë devijuar projektin për llogari të biznesmenit Edmond Bego.
“Me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt për ndryshimin e rrjedhës së Lanës dhe me firmën e Arben Ahmetajt për privatizimin e ish Serave, mikut trafikant droge të Taulant Ballës, Edmond Bego, iu hap rruga që të ndërtojë në një sipërfaqe prej rreth 30 mijë metra katror.
Dokumentet e Hipotekës provojnë se kjo sipërfaqe toke i ka kaluar për ndërtim kompanisë ALSION-ALBANIA, e cila është në pronësi 100 për qind e Mond Begës. ALSION-ALBANIA do të ndërtojë tek ish Serat një projekt me vlerë fillestare investimi 60 milionë euro.
Të dhënat e projektit të siguruar nga Partia Demokratike tregojnë se vendndodhja e tij është përgjatë Unazës së Madhe, buzë lumit Lanë, sipas ndryshimit me firmën Rama Veliaj në vitin 2017. Projekti luksoz i Mond Begës është krijuar nga studio italiane MISALAB, ku si klient paraqitet kompania tjetër e Mond Begës, INERTE EXPRES.
Kompleksi rezidencial, ku do të investohen 60 milionë euro, është paraqitur prej Edmond Begos në Bashkinë e Tiranës, ku kanë nisur procedurat e pajisjes së tij me leje ndërtimi. Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë ndryshuar Planin Urbanistik për ta vënë në funksion të realizimit të projektit të Edmond Begës. Ndryshimi i projektit të Unazës së Madhe dhe sistemimit të shtratit të Lumit Lana për llogari të Edmond Begës është kriminal.
Nga ndryshimi i projektit preken rreth 200 familje, ku pjesa dërrmuese e tyre janë në proces legalizimi. Kjo do të thotë që Edi Rama do të nxjerrë në qiell të hapur mijëra banorë për t’i shërbyer pastrimit të parave të pista që vijnë nga krimi i organizuar dhe trafiku ndërkombëtar i drogës.
Firma e edi Ramës dhe Erion Veliajt për ndryshimin e Planit Urbanistik dhe të shtratit të lumit Lanë për të mos prekur projektin 60 milionësh të Edmond Begos në kurriz të 200 familjeve shqiptare është treguesi më i qartë se alternative e vetme e Edi Ramës është bashkëqeverisja e tij me krimin e organizuar”, tha Gazmend Bardhi.
Përveçse u sqarua një ditë më parë nga Bashkia dhe Ministria e Financave, se projekti ishte inicuar që në kohën e qeverisë “Berisha”, duhet thënë se pas tij qendron një biznesmen i PD-së.
Ai ka reaguar pas deklaratës së PD-së, duke thënë se në fakt, kompania “Alsion-Albania” është e tij dhe se Lulzim Basha gënjen.
“Akuza nga Basha për “Alsion-Albania” asht një rrenë e madhe.
Jam unë pronari i parë i Alsion Albania dhe i sqaroj tana gjanat po deshën”, shkruan ai.
Remcaj është demokrat dhe anëtar i Partisë Demokratike.
Ai merr pjesë në çdo organizim dhe protestë të PD-së dhe madje ishte edhe kandidat për Këshillin Kombëtar në zgjedhjet e së shtunës
a.çupaj