Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka deklaruar se ishte ai që i kishte kryeministrit Ramush Haradinaj se taksa ndaj mallrave serbe duhet të jetë 100 për qind dhe jo që të bëhen eksperimente me masa më të vogla.
Në Rubikon të KTV-së, Veseli ka thënë se nga ky vendim s’ka prapa dhe se çdo vendim i ri do të jetë varësisht prej sjelljeve të Serbisë.
“Nuk do të tërhiqet taksa në mënyrë jo të dinjitetshme, qysh të sillet Serbia me neve ashtu do të sillemi ne. Bashkimi Evropian duhet t’i trajtojë të dyja palët njëjtë, mos të na bëjë presion vetëm neve”, ka thënë ai. “E kam diskutuar me kryeministrin, i kam thënë kryeministër e ki bërë planin, nuk ka kthim prapa.
Po të them, reciprocitet, Serbia nuk na njeh, nuk e njohim, nuk na njeh mallrat, nuk ua njohim, kjo mund të shkojë edhe në 200%.
Politikat bllokuese nuk kanë racionalitet, Serbia i kishte vazhduar një kohë të gjatë, nuk i respektonte qytetarët, mallrat, energjinë, çështjen e dokumentacionet, ishte një logjikë e bllokadave dhe përveç të gjitha këtyre edhe në anëtarësimin nëpër organizata”, ka thënë Veseli.Veseli ka thënë se taksa nuk do të hiqet dhe se Serbia duhet të reflektojë e të respektojë Kosovën. (b.an)