Ministria e Financave ka hedhur poshtë akuzat e opozitës në lidhje me procesin e privatizimit të një trualli, që rezulton se ka nisur nga vetë qeverisja e djathtë.
Përmes një reagimi për mediat, Ministria e Financave sqaron se nuk ka lidhur asnjë kontratë me personin Edmond Bego apo kompaninë në fjalë.
Sipas saj, kërkesa për privatizim, është bërë dhe miratuar në vitin 2007, me firmën e ish-ministrit Genc Ruli.
“Në vitin 2016 Ministria e Financave finalizoi procesin e shitjes me trashëgimtarët e ligjshëm të truallit, sipas kontratës bashkëngjitur, ku asnjë nga personat e palës blerëse nuk rezulton të jetë z. Bego. Në vitin 1995, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Ish-Pronarëve, me Vendimin nr.8 datë 20.04.1995 vendosi:
- Të njohë Maliq dhe Hamdi Pinari, ish-pronarë mbi një truall me sipërfaqe 34.000 metra katrorë që ndodhet në lagjen e Re të Tiranës;
- Trualli i lirë me sip. 10 mijë metra katrorë t’i njihet dhe kthehet pronarëve
- Trualli i zënë nga serat, duke përfshirë dhe magazinat e saj iu është njohur pronarëve (trashëgimtarëve të tyre) si dhe iu është dhënë e drejta e parablerjes, kur ato të privatizohen Në vitin 2007 Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, kërkoi miratimin e Këshillit të Ministrave për kërkesën e trashëgimtarëve për privatizimin e pronës së sipër-përmendur”, thuhet në sqarim.
Qeveria e drejtuar nga Berisha në vitin 2007, me një shkresë “urgjente” për një procedurë të tillë, (Nr. 991/2 dt. 05.04.2007) do të shprehej dakord për miratimin e privatizimit të objekteve “stacioni i gjedhit” dhe “sera dhe magazinë”, siç tregohet në dokumentin bashkëngjitur, që i hapi rrugën miratimit të procedurës së privatizimit.
Ministria e Financave thekson se i gjithë procesi i ndjekur pas miratimit të privatizimit, është thjesht procedurë.
“Në vitin 2015, Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në përgjigje të interesimit të Ministrisë së Financave, ka konfirmuar Vendimin e vitit 1995 mbi njohjen e pronësisë së truallit dhe të drejtën e parablerjes për ish-pronarët. Procedura e shitjes u finalizua mes Ministrisë së Financave dhe palës blerëse (të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të truallit), me kontratën e shitjes nr. 157 Rep. 119 Kol, datë 09.06.2016. Për palën blerëse kanë nënshkruar kontratën të gjithë trashëgimtarët e subjektit të shpronësuar “Maliq dhe Hamdi Pinari”, ku në asnjë rast nuk figuron asnjë person me emrin e permendur nga Partia Demokratike (kontrata bashkëngjitur)”, thuhet në sqarimin e Ministrisë së Financave.
/a.rada