Nga Ben Andoni
Ka gati gjysmë muaji që një komunitet i madh studentësh janë ngritur në protesta kudo në vend dhe një pjesë e madhe e tyre e kanë bojkotuar arsimin. Paçka asaj që ka artikuluar Pozita dhe ka anatemuar Opozita, protesta studentore po tregon se ka shumë për të thënë për dështimin e Reformës në Arsim. Më shumë akoma për nëpërkëmbjen e trurit të vendit.
Prej muajsh, Akademia e Shkencave, institucioni që duhej t’i printe ndryshimeve në vend përmes paraqitjes së projekteve të zhvillimit dhe platformave këshillimore nuk ushtron dot veprimtarinë e saj, kurse grupe të ndryshme brënda saj përmes propozimeve dhe rrahjes së mendimeve më shumë i vendosin trekëmbësha inati njëri-tjetrit sesa mendojnë për të ardhmen, e kanë futur në bllokazh total.
Sikur të mos mjaftojë kjo, akademikët e vendit, madje pak syresh, që kanë jetuar dhe lulëzimin e këtij institucioni, kanë dëgjuar monologun e frikshëm dhe fyes të kryeministrit të vendit. Mes fjalëve patetike si “u krijua si xhevahiri më rrezatues i kurorës së dijes’, ndërsa sot është “kthyer në kufomën e vetvetes”, Rama tregoi paaftësinë për mungesën e komunikimit të profesorëve me instancat drejtuar prej tij, duke ua lënë fajin në derë. Njësoj si paraardhësi Berisha me politikat e tij të shëmtuara. Fryma negative kombëtare e mbyti dhe këtë institucion, ku një numër personalitetesh tona në vend të rrahjes së mendimit iu hodhën njëri-tjetrit në grykë më shumë sesa të gjenin zgjidhje. Përfundimisht, apatia e këtij institucioni reflekton në një farë mënyre ku gjendet ajka e inteligjencës së vendit dhe sinteza e sotme e mendimit shqiptar. Pasojat: reforma të dështuara kudo, mungesa të theksuara asistencash të shkencës, udhëkryqe problematikash historike, sociale dhe mbi të gjitha ineficenca ekonomike prej mungesës së duhur të modeleve.
Duke e prishur në bazë këtë institucion, PD-ja, në fillim të viteve ‘90 dhe PS-ja, pas saj, kanë pasur fushë të lirë që të bëjnë çfarë të duan me ekonominë, historinë, problemet sociale të vendit. Mendimi shqiptar nuk ka më mbrojtje, përderisa atë e bëjnë njerëz që dalin gati nga furrat e partive. Dhe, një e tillë mungesë po duket në këto ditë, kur njerëzit duan të kuptojnë realisht pse dështoi Reforma në Arsim, pse po dështon Reforma në Drejtësi, Pse Shqipëria nuk zhvillohet si vendet e tjera, pse vendi nuk gjen dot gjuhën për Luftën e Dytë Botërore…Pse dhe Pse?! Sa shumë pyetje rrinë pezull! Askush nuk e do nga qeveritarët, por edhe burokratët poshtë që Shqipëria të ketë mendimin e saj, sepse përndryshe ata do të jenë të harruar. Kështuqë edhe për shumë kohë, kjo nuk do ndodhë në Shqipëri, përderisa pushtetin absolut e kanë politikanët. Ndaj, studentët me protestën e tyre të bukur tashmë pak e nga pak po bien në dorë ustallarësh, kurse hiena po mundohen t’ua marrin përpjekjen, që çoi peshë shpresën e fshehur të njerëzve.
Si sfinks, ndërkohë, të gjitha i sodit kujtimi i Akademisë së Çabejt dhe Budës që për fat të keq ka vdekur, ndërsa kjo e sotmja është baltosur në atë farë mënyre saqë askush nuk i drejtohet më. Duket se ka vdekur shpirti që e do mendimin shqiptar ta ndriçojë vendin. (Javanews)