Një valë të tillë protestash Hungaria ka kohë që nuk e ka përjetuar. Prej ditësh demonstrojnë mijëra hungarezë kundër politikës sociale të qeverisë së Orbanit dhe transformimit jodemokratik që po i bën ai vendit të tij. Policia ka përdorur gazin lotsjellës dhe ka vepruar me brutalitet kundër demonstruesve. Disa duzina njerëzish u ndaluan nga policia, e u liruan pas 12 ose më shumë orësh. Protesta e së dielës fillimisht u zhvillua në mënyrë paqësore, por pastaj policia ndërhyri me gaz lotsjellës, kur një pjesë e demonstruesve bllokoi ndërtesën e radios publike hungareze.
Një ligj që u heq të drejtat punëtorëve
Shkak i protestave është bërë një ligj që në opinionin publik është damkosur si “ligji i skllevërve”, fjala është për ndryshimin e ligjit të punës, që u miratua në parlament javën e kaluar. Ligji i ri hungarez lejon rritjen e ndjeshme të numrit të mundshëm të mbiorëve të punës në vend, nga 250 në 400 orë. Në të njëjtën kohë punëdhënësit mund t’i lejojnë vetes deri në tre vite kohë për pagesën e këtyre mbiorëve, jo një vit si deri më tani. Ligji u miratua kundër protestës masive të sindikatave, opozitës dhe organizatave joqeveritare.
Që para disa vitesh qeveria e Orbanit e ka ndryshuar ligjin e punës dhe të tatimeve në favor të sipërmarrjeve, kështu për shembull është kufizuar ndjeshëm e drejta e grevave. Sipërmarrjet nuk paguajnë askund tjetër në BE aq pak tatime sa në Hungari.
Zhgënjim për gjendjen në vend
Por zemërimi për “ligjin e skllevërve” duket se ka përfshirë një pjesë të opinionit publik hungarez. Në të vërtetë në vend ka probleme të mëdha sociale, që u krijuan me vite me sistemin që krijoi vetë Viktor Orban. Shumë ndjehen të poshtëruar prej këtij ligji. Në Hungari ka një mungesë të madhe të fuqisë punëtore, e kushtëzuar kjo nga emigrimi i madh.
Në tetë vitet e fundit rreth 600.000 qytetarë të mirëarsimuar e kanë braktisur Hungarinë, sepse në vend sundon jë klimë politike e tensionuar, arsimi dhe shëndetësia nuk janë të organizuara dhe të financuara si duhet, sipërmarrjet private janë shpesh të varura nga favorizimi që mund t’u bëjë qeveria. Qeveria kërkon tani t’i dalë ballë mungesës së fuqisë punëtore në vend me rritjen e kufirit të mbiorëve të lejuara.
Rreziku më i madh korrupsioni
Por në protesta bëhet fjalë më shumë se për “ligjin e skllevërve”. Në të njëjtën kohë në javën e kaluar u miratua edhe një ligj për një gjykatë të re administrative, një degë e re sistemit të drejtësisë, që ndryshe nga gjykatat e tjera ndodhet nën kontrollin e Ministrisë së Drejtësisë. Për qeverinë raste të rëndësishme dhe delikate mund të kalohen në këtë gjykatë të re, duke bërë kështu që të groposet edhe më tej pavarësia në sistemin e drejtësisë në Hungari. Zemërimin në opinionin publik e kanë ndezur edhe ligje të tjera. Kështu në shtator u miratua një ligj kundër të pastrehëve, që e ndalon gati të qenit të pastrehë në vend. duke e ndaluar “jetesën” në ambiente publike. Sondazhet në Hungari treguan se shumë vetë nuk e mbështesnin një veprim të tillë ndaj të pastrehëve.
Po ashtu në Hungari ka shkaktuar pakënaqësi edhe mënyra si u veprua me ish-kryeministrin maqedonas të dënuar për korrupsion me burgim, Nikola Gruevski. Ai mori azil në Hungari përmes një procedure të përshpejtuar, dhe shkon tani për darkë në restorante luksoze, siç zbuluan mediat. Në një sondazh të fundit, shumica e hungarezëve e quajnë korrupsionin në vend si problemin më të madh se rrezikun përmes migracionit, të cilin e ngre gjithmonë lart qeveria e Orbanit. Nuk dihet edhe sa kohë do të vazhdojnë protestat. Partitë opozitare kanë bërë thirrje në ditët e ardhshme për protesta të tjera. Kurse qeveria e Orbanit shikon pas tyre një komplot të organizuar nga multimiliarderi George Soros dhe forcat që qëndrojnë pas tij./a.meta