Nga Antoine Pollez/
Hipoteza e një referendumi të dytë mbi Brexit, që është përjashtuar gjithashtu edhe nga kryeministrja Theresa May, po fiton terren, edhe për shkak të kundërshtimit të Parlamentit ndaj marrëveshjes së ndarjes të arritur me Brukselin.
Ja çështjet që ngre një skenar i tillë:
Cili është raporti i forcave?
Theresa May i është kundërvënë gjithnjë një konsultimi të ri, duke vlerësuar se do të dëmtonte besimin e britanikeve kundrejt të zgjedhurve të tyre dhe sistemit politik.
Në Parlament, shumë deputetë të partisë së saj konservatore i janë kundërvënë, ashtu si edhe ata të partisë së vogël irlandeze unioniste DUP, një grupim i domosdoshëm për të ruajtur mazhorancën absolute. Por një grup deputetësh konservatorë janë shprehur pro një referendumi të dytë.
Partia Laburiste, formacioni kryesor i opozitës, nuk e ka përjashtuar mbështetjen ndaj organizimit të një referendumi të dytë nëse nuk arrin të marrë organizimin e zgjedhjeve legjislative të parakohshme.
Dhjetëra deputetë laburistë janë shprehur publikisht pro një votimi të ri duke i bërë thirrje liderit të tyre, euroskeptikut Jeremy Corbyn, që të bëjë të njëjtën gjë.
Formacionet e tjera opozitare, si partia Liberal Demokrate, e qendrës, si dhe indipendentistët skocezë të SNP-së, që janë kundër Brexit, mbështesin idenë e një referendumi të ri.
Madje fushata për të organizuar një referendum të ri ka marrë edhe mbështetjen e ish-kryeministrave Tony Blair (laburist) dhe të John Major (konservator), apo edhe të kryebashkiakut të Londrës, Sadiq Khan.
Kush vendos?
Qeveria duhet të japë miratimin e saj për organizimin e një referendumi të ri dhe Parlamenti duhet të votojë një ligj për t’i dhënë një kuadër ligjor këtij konsultimi.
Cila është pyetja?
Mundësitë janë të shumta për sa i përket pyetjes që do të shtrohet dhe nuk është gjetur asnjë konsensus.
Një prej hipotezave është një pyetje që jep mundësinë që të zgjidhet mes marrëveshjes së Brexit, e mbrojtur nga Theresa May apo të dilet pa marrëveshje, që kundërshtohet nga meset ekonomike.
Por disa opozitarë të Brexit duan që të propozohet gjithashtu anulimi i procesit të ndarjes. Ndërsa disa të tjerë kërkojnë që të treja mundësitë të hidhen në votim (Brexit me marrëveshje, pa marrëveshje, ose të mos ketë Brexit).
Cili është afati?
Sipas studiuesve të “City University of London”, afati më i shkurtër për organizimin e një referendumi të ri është rreth 22 javë.
Në këtë rast, nëse vendimi për të organizuar një referendum të ri do të merrje sot, konsultimi nuk mund të zhvillohej para fundit të muajt maj 2019 ose më herët.
Por ky afat ngre çështjen e zhvillimit në Britani të Madhe të zgjedhjeve europiane, që fillojnë më 23 maj. Nëse vendi është ende anëtar i BE-së deri në këtë datë, a duhet të zgjedhë eurodeputetë?
Ky afat do të shkaktonte gjithashtu një shtyrje të datës së Brexit, të parashikuar më 29 mars 2019, që do të kërkonte një marrëveshje me krerët europianë.