Me rastin e 550 – vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar dhe 65-vjetorit të shfaqjes së këtij filmi
Nga Skifter Këlliçi, TemA
Ashtu si çdo fëmijë edhe unë, që në klasat e para të fillores mësova nga prindërit dhe mësueset për bëmat e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbeu dhe e njoha atë edhe nga portretet që vareshin në muret e klasave të shkollave ku kam mësuar. Mbresa te thella më pati lënë sidomos tregimi I Fan Nolit për kthimin e Skënderbeut në Krujë, të cilin e kam lexuar me kurreshtje të madhe më 1945, kur sapo kisha mbushur shtatë vjeç. Nëpërmjet rreshtave të para të tregimit “Qindra vjet më parë, kur Shqipëria nxirrte vetëm trima dhe luanë…”, përfytyroja Skënderbeun që futej në kështjellën e Krujës me përkrenaren e tij në kokë, fytyrën e ashpër me mjekër e mustaqe të dendura, sy të përndritur, pazmoren që i mbulonte gjoksin e ngritur, shpatën që i varej deri poshtë këmbëve këmbëve, dhe të ëmën, Vojsavën që priste me aq mall.
Të tillë e përfytyroja dhe në vargjet e Naim Frashërit :
”Krujë, o qytet i bekuar,
Prite, prite Skënderbenë,
Që po vjen si pëllumb i shkruar,
Të shpëtojë mëmëdhenë…”.
Por, sado që fantazia ime prej fëmije kishte krijuar një trajtësim të ndezur për heroin tonë kombëtar, unë mbeta i magjepsur, kur pashë filmin sovjeto-shqiptar “Skënderbeu”. Portreti i mishëruar nga interpretimi i aktorit të njohur sovjetik, Akaki Horava, me kombësi gjeorgjiane, kapërcente çdo përfytyrim tjetër timin dhe të bashkëmoshatarëve të mi për Skëdërbeun. Madje, edhe kur një ditë vere të vitit 1953, e pashë duke dalë nga hotel “Dajti” në Tiranë, ku së bashku me trupën e aktorëve të tjerë sovjetikë kishte ardhur për të xhiruar pjesë të rëndësishme të këtij filmi. Dhe kjo, sepse ai atë ditë ishte veshur me rroba të zakonshme vere dhe ndonëse na kishin thënë se në atë film ai do të luante rolin e Skënderbeut, sado që kishte shtat të lartë e fytyrë si të gdhendur, prapë e prapë, ishte shumë larg përfytyrimit të portretit të heroit tonë legjendar, veshur si luftëtar, ashtu si e përshkruan më sipër Fan Noli…
Por ajo që na bëri atëherë përshtypje, ishte se në këtë film, krahas Naim Frashërit, aktorit tonë të njohur që atëherë, dhe disa aktorëve të tjerë, rolin e Mamicës, motrës së vogël të Skënderbeut, në këë film, do të luante Adivie Sharofi, e njohur deri atëherë si valltare e Filamonisë Shqiptare, nga i cili më pas do të krijohej Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore. Për më tepër, sepse Adivia ishte dhe një nga shoqet e para të motrës sime, Lilit, edhe ajo valltare e Filarmonisë. Regjisor i filmit, Sergei Jutkjeviç, kishte pëlqyer portretin e saj dhe i kushte besuar këtë rol.
Dhe ja, më 28 nëntor të vitit 1953, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë, “Skënderbeu” nisi të shfaqej, së pari në kinematë e Tiranës dhe pastaj të qyteteve të tjera të Shqipërisë.
Së bashku me shumë moshatarë, nuk munda ta shihja këtë film, as ditën e parë dhe as në ditët e tjera. E kishim shumë të vështirë të gjenim bileta. Por një nga shokët tanë, arriti të futej në kinema “17nëntori’ me një… gjysmë bilete. Dhe para shfaqjes arriti t’i shmangej edhe kontrollorit që po e kërkonte edhe nëpër sallë. Për fat të mirë të tij, u shuan dritat, filmi filloi dhe ai nuk e zgjati më tutje, aq më tepër që me shtat të imët, shoku ynë ia doli të fshihej midis shikuesve.
Dhe merreni me mend kërshërinë tonë, kur ne gojëhapur dhe me zili dëgjonin rrëfimin e tij për përleshjet e luftëtarëve shqiptarë në muret e kështjellës së Krujës, me pushtuesit barbarë turq, dyluftimet e tyre me shpata, pamjet e Skënderbeut, që drejtonte betejat…
Një nga shokët e tjerë u rrek dhe ai të futej me gjysmë bilete, por nuk ia hodhi dot biletaxhiut… syçeltësor. Shoku ynë zuri të qante, aq sa një burrë që po futej në kinema, i tha këtij biletaxhiu, që ta linte se ai ishte…ishte nipi tij. Madje, i la dhe para nën dorë.
Dhe kështu edhe këtij shoku ia patëm zili, deri sa pas ditësh, së bashku me prindërit, unë dhe im vëlla, më së fundi mundëm të shihnim “Skënderbeun’’. Dhe zumë të imitonim atë dhe luftëtarët e tij me shpata prej druri, duke harruar thuajse krejtësisht luftëtarë që kishim parë vite të shkuara në filma e huaj, të para Luftës së Dytë Botërore.
U gëzuam që pamë në film edhe Adivien, shoqen e motrës sime, e cila e kishte parë atë më parë, së bashku me shoqe të tjera, si pjesëtare e valleve të luajtura gjatë xhirimit të këtij filmit në dasmën e martesës së Skënderbeut me Donikën, rol që luhej nga aktorja Besa Imami.
Besa , Adivie Sharofi dhe aktorë të tjerë shqiptarë që morën pjesë në role të tjera më të vogla në këtë film, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Lec shllaku, Loro Kovaçi, Ndrekë Shkjezi, Marie Logoreci, Zef Jubani, Aleko Skali, Sokrat Mio, Mihal Stefa… pas shfaqjes së tij me sukses të jashtëzakonshëm, u bënë shumë të njohur dhe të dashur midis qindra mijëra qytetarëve, që gjatë nëntorit të vitit 1953 dhe më pas e panë “Skënderbeun” në kinematë e tërë Shqipërisë.
Gjatë shfaqjes së “Skënderbeut” ne, fëmijët, dëgjuam se në këtë film, krahas regjisorit të njohur sovjetik Jutkjeviç, kishte punuar edhe Viktor Stratoberdha, aso kohe ende student shqiptar për kinematografi në Moskë, i cili e kishte çmuar shumë atë…
Në pranverë të vitit 1956, kur tashmë ishte regjisor në kinostudion “Shqipëria e Re”, u përhap lajmi se Viktori ishte transferuar drejtor… i kinemasë së Beratit. Arsyeja- sepse kishte mbështetur diskutuesit komunistë në Konferencën e Partisë së Tiranës, që kishin kritikuar ashpër udhëheqjen e lartë, e cila i kishte krijuar privilegje të mëdha vetës dhe po shkëputej nga masat e popullit, që jetonte në varfëri. Ndër ta kishte qenë edhe Viktori, që kishte thënë se në Konferencën komunistët e guximshëm dhe të ndershëm i kishin thyer hundët Enver Hoxhës.
Para rast të njihesha nga afër me Stratoberdhën, në shtator të vitit 1966, kur u ndodha në Berat. Përkoi ato ditë, kur në kinemanë e këtij qytetit po shfaqej “Skënderbeu”. Por tashmë ai nuk ishte më drejtor i kinemasë, por… punëtor ndërtimi. E vërteta ishte se më 1963, kishte nisur të punonte si regjisor i Estradës së Beratit. Dhe atje, në një shfaqje, midis skeçeve të tjera, kishte përfshirë edhe një skeç, në të të cilin mosrealizimet e planeve të ndërmarrjeve, i kishte paraqitur në formë… qivuresh, që dërgoheshin për t’u varrosur. Dhe kështu e kishte pësuar.
Kujtuam episode të “Skënderbeut”…Më tregoi për bashkëpunimin më Jutkjeviçin, rrëfeu edhe episode gazmore me aktorët tanë dhe sovjetikë gjatë xhirimit të filmit. Po nuk e zgjati. Si të më kujtonte se tashmë ishte i deklasuar… Disa vite më pas përfundoi edhe burgosur… Pas shembjes së diktaturës emigroi në Greqi dhe pastaj në Kanada, ku dhe mbylli sytë përgjithnjë. “Kinematografia jonë humbi një talent të rrallë”,- do të shkruante më pas në një libër kushtuar atij, regjisori i shquar, Kristaq Dhamo.
..Po të kthemi në shtator të vitit 1957… Atëherë kur isha student i fakultetit histori-filologji në Universitetin e Tiranës. Midis studentëve të huaj u njoha edhe me Galina Tregubovën, që vinte të mësonte shqipen nga Universiteti “Lomonosov” i Moskës. Më tregoi se “Skënderbeu” ishte shfaqur me shumë sukses edhe në Moskë dhe qytete të tjera të Bashkimit Sovjetik. Nëpërmjet tij, qytetarët sovjetikë ishin njohur me këtë figurë kaq të madhe legjendare shqiptare dhe ishin njohur kështu më shumë edhe me atë periudhë kaq të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.
Kur filmi u rishfaq në kinematë e Tiranës, e ftova Galinën ta shihnim këtë film së bashku me studentë gjermano-lindorë. ”Keni të drejtë të krenoheni me historinë e vendit tuaj, – më tha një student gjerman Ervn Levin nga Lajpcigu, që më vonë do të bëhej historian i vendit të tij..
Ndonëse marrëdhëniet e Shqipërisë më Bashkimin Sovjetik, pas vitit 1961, për arsye që dihen, u prishën, filmi “Skënderbeu” vazhdoi të shfaqej në kinematë shqiptare.
Në mars të vitit 1965 ai po shfaqej në kinema “Partizani” në Tiranë”. Një pasdite takova Naim Frashërin, që në ketë film luante rolin e Palit, luftëtar i Skënderbeut. Njiheshim, sepse ai, me aktorë të tjerë të Teatrit Popullor, vinte në Radio Tirana, ku punoja redaktor i emisioneve letrare dhe sportive, për te regjistruar pjesë të vëna në Teatrin Popullor.
Çuditërisht, me një ndjenjë drojtje, m’u lut të shkonim të shihnim filmin “Skënderbeu , sepse i vinte rëndë ta shihte vetëm. Pranova me kënaqësi. Gjatë shfaqjes së filmit vura re se ishte i tendosur. Kur po dilnim nga kinemaja, kishte nga ata shikues që nuk ia ndanin sytë. Madje, njeri edhe e përqafoi. “Ç’kënaqësi e madhe për mua të të takoj nga afër,- i tha, – sepse deri tani të kam parë vetëm në skenë. Pali yt na pëlqen të tërëve”.
Kur dolëm nga kinemaja, Naimi, i prekur nga fjalët e këtij shikuesi, më tha: “Më vjen keq që nuk kam luajtur ashtu si duhet në film. Por ishte hera e parë që dilja para kamerës kinemtografike. Sot atë rol do ta luaja atë rol shumë më mirë.”
Pas vitit 1967, kur marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën popullore po arrinin kulmin e “muajit të mjaltit”, për habi “Skënderbeu” zuri të shfaqej vetëm në kinematë e qyteteve të tjera dhe jo më në Tiranë. Madje pas vitit 1974 nuk u shfaq më. Mbeti i harruar në arkivat e Kinostudios “Shqipëria e Re”. Arsyeja, me dukej ishte se pr. Jusuf Aibali, bashkëshorti i Adivies, pas Plenumit të 4-t famëkeq të KQ të PPSH-së, si shumë intelektualë të tjerë, për shfaqje liberale, u dënua dhe intermin…
Për brezin tonë që e kishim parë “Skënderbeun” prej vitesh, ishte humbje; po merret me mend se humbje më e madhe ishte për brezin e atyre fëmijëve, që ato vite kishin qenë shumë të mitur, ose nuk kishin lindur ende , të cilët përfytyrimin e Skënderbeut nisën tashmë ta trajtësonin vetëm nga mësimet në tekstet shkollore dhe nga portretet e piktorëve dhe skulptorëve tanë, nëpër ekspozita kombëtare të arteve figurative, nga të cilat shquhej portreti i skulptorit të njohur Odhise Paskali. Si ne dikur…
Duhet te vinte viti 1992, i cili shënoi edhe shembjen e komunizmit, që “Skënderbeu” të shfaqej përsëri dhe të bëhej i njohur edhe nga brezat që ardhshëm, ndër të cilët edhe djali im. Ai atëherë ishte 10 vjeç. E kam të vështirë të shpreh siç duhet kureshtjen dhe hovëzimin e tij shpirtëror, që e pushtoi, kur pa “Skënderbeu” në ekranin e televizorit…. Të gjatë, shumë më hijshëm, hijerëndë, bujar dhe me trup të fuqishëm…E kishte përfytyruar, si brezat tanë të mëparshëm, pra që nuk fliste në gjuhë të huaj, por në shqip, gjuhë që e kuptonin edhe fëmijë , të cilët ende nuk kishin shkuar në shkollë, pra që ende nuk dinin të lexonin.
Tashmë “Skënderbeu” ishte i gjallë edhe midis tyre. Por edhe për ne të rriturit, , baballarët e tyre, që e shihnim atë me përmallim, duke rikujtuar aktorët e mëdhenj sovjetikë, sidomos Akaki Horavën, që në mënyrë të magjishme na ringjallte heroin tonë të lavdishëm.
Në 65-vjetorin e “Skënderbeut” veç Adivie Sharofit, aktorët e tjerë të këtij filmi, që përmenda më sipër, si dhe kompozitori mirënjohur Çesk Zadeja, i cili ka kontribuar në këtë film, krahas kompozitorit sovjetik Sviridonov, nuk janë më në jetë. Kështu ka ndodhur edhe me aktorët sovjetikë, duke përfshirë edhe Horavën. Por ata mbeten ende në jetë, falë filmit legjendar “Skënderbeu”, që më 1954 ka pasur sukses të dukshëm edhe në Festivalin e Kanës, më i madhi festival ndërkombëtar i filmit artistik në botë, ku ka fituar disa çmime prestigjioze. (TEMA)