Këtë fundjavë u shpallën fituesit e Konkursit Mbarëkombëtar të Krijimtarisë Muzikore në gjinitë Opera, Muzikal dhe Balet, i organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, si dhe Ansamblin Popullor. Ndër kompozitorët e ‘vjetër’ fitues u shpallën Fatos Qerimaj dhe Vasil S.Tole, ndërsa nga të rinjtë rrëmbeu çmimin 24-vjeçari Jetmir Zaganjori me baletin ‘Ballkan Exspress. ’ Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u shpreh se në mandatin e saj të dytë, projektet për muzikën kontemporane shqiptare i vlerëson me prioritet.
“Si ministër, në mandatin tim të parë, ndonëse jemi përpjekur të ndërtojmë programe të reja, dhe politika kulturore në artet pamore, në edukimin kulturor, në artet skenike, në trashëgimi kulturore, në libër e lexim; më duhet të pohoj që e mbylla mandatin tim të parë me një peng për muzikën shqiptare kontemporane në gjinitë e mëdha ku një boshllëk prej disa dekadash ishte krijuar tashmë dhe askush s’e kishte mbushur. Prandaj ishte një ndër prioritetet e para në këtë mandat dhe Viti i Skënderbeut ishte viti i duhur për të mobilizuar fuqitë krijuese të kompozicionit në gjinitë e vështira të Operas, Baletit dhe Muzikalit”, tha Kumbaro.
Pavarësisht skepticzmit apo paragjykimit që ekzistonte, u shpreh ministrja, Ministria e Kulturës vijoi punën për ta çuar deri në fund këtë konkurs.
“Gjithmonë ka një herë të parë për institucionet e kulturës që më në fund ndërtuan një model për të nxitur krijimtarinë muzikore bashkëkohore në këto gjini. Mbase ky model nuk është më i miri, por pa dyshim ata që do të vijnë pas nesh do ta përmirësojnë. Se më besoni, që nuk është aspak lumturi kur nuk gjen gjë! Këtë s’e bëra unë, por kompozitorët që punuan, dhe frymëzimin e tyre artistik ia besuan këtij konkursi, kësaj trupe artistike dhe kësaj skene”, tha Kumbaro.
Ministrja vlerësoi gjithashtu edhe jurinë profesioniste të këtij konkursi;Thomas Simaku; Nicole LeFanu dhe Pedro Amaral
“Ky është një konkurs, dhe si ne çdo konkurs ka një garë, ka vlerësime, ka fitues, ka humbës. As këtë s’e bëj unë. I jam pa fund mirënjohëse Jurisë që na nderon me nivelin shumë të lartë akademik, professional dhe me përvojat e tyre, që prej javësh i kanë vënë në shërbim të kësaj aventure të bukur muzikore shqiptare”, u shpreh Kumbaro.
Konkursi Mbarëkombëtar i Krijimtarisë Muzikore synon të zhvillojë krijimtarinë muzikore dhe të nxjerrë në pah talentin, artin dhe frymëzimin e artistëve në gjinitë: Opera, Balet dhe Muzikal. Po kështu qëllimi i tij është të inkurajojë artistët në këto gjini të muzikës skenike, duke promovuar kreativitetin, afirmimin dhe dialogun në botën emocionuese të Muzikës.