Ish-avokati i presidentit Donald Trump, Michael Cohen tha se “zoti Trump e dinte se ishte i gabuar urdhri që dha për të paguar në prag të zgjedhjeve dy gra me qëllimin që ato të mos flisnin rreth marrëdhënies së pretenduar me zotin Trump.” Zoti Trump veproi sepse “ishte shumë i shqetësuar se si kjo çështje do të ndikonte tek zgjedhjet”, tha zoti Cohen për rrjetin televiziv ABC News të transmetuar të premten. Këto janë komentet e para të zotit Cohen pas vendimit për dënimin e tij me tre vjet burg.
Nga ana tjetër presidenti Trump ka thënë se ai nuk e ka urdhëruar kurrë zotin Cohen që të thyejë ligjin. Por Cohen ngriti pyetjen nëse zoti Trump e dinte që pagesat e bëra për Stormy Daniels dhe Karen McDougal ishin të gabuara, duke u përgjigjur: “sigurisht”.
Zoti Cohen sfidoi pohimin e zotit Trump se ai kurrë nuk i ka kërkuar atij që të thyejë ligjin.
“Nuk mendoj se ka ndonjë që e beson këtë”, i tha zoti Cohen gazetarit George Stephanopoulos gjatë programit “Good Morning America”.
“Para së gjithash, asgjë në organizatën Trump nuk bëhej pa kaluar përmes tij. Trump më urdhëroi për të bërë pagesat, më urdhëroi të përfshihesha në këtë çështje”, tha zoti Cohen.
“Ai e di të vërtetën sikurse unë dhe të tjerët gjithashtu e dimë të vërtetën”, shtoi Cohen.
“Amerikanët, të gjithë njerëzit kudo në botë, nuk e besojnë atë që ai thotë. Ai njeri nuk thotë të vërtetën dhe është e trishtueshme që unë duhet të marr përgjegjësinë për punët e pista të tij”, tha zoti Cohen.
Por Presidenti Trump mohon të ketë patur marrëdhënie me gratë të cilat u paguan vetëm disa javë përpara zgjedhjeve.
Në një postim në twitter të enjten ai u distancua nga zoti Cohen, duke thënë ndër të tjera se ai ishte viktimë e praktikave joligjore të ish-avokatit të tij./voa/a.meta