Fatmir Metaj, kreu i IKMT-s vënë në qendër të vëmendjes pas përplasjes me deputetët e partisë Demokratike në zonën e Shkozës për prishjen e objekteve që preken nga ndërtimi i Unazës së Re, është dënuar një ditë më parë nga gjykata e Tiranë me 1 vit e 3 muaj burg për shpërdorim detyre.
Dënimi është dhënë nga gjyqtari Sokol Pasho ndërsa Metaj ka qenë i proceduar penalisht edhe me disa pjesëtarë të stafit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Në akuzën e ngritur nga prokuroria e Tiranës pas kallëzimit të disa qytetarëve Metaj u mor i pandehur për prishjen e katër objekteve, një prej tyre me leje ndërtimi dhe tre objekte në proces legalizimi.
Sipas prokurorisë këto objekte nuk duhet të ishin prishur pasi një prej tyre ishte i pajisur me leje dhe tre të tjerët në proces legalizimi çka pamundësonte zbatimin e procedurës së ndjekur nga IKMT për prishje. Objektet e prishura kanë qenë të ndërtuara në rrugën ‘Mihal Grameno’, përgjatë rrugës së Vaqarrit dhe në ish “Uzinën Enver”. Këto prishje janë realizuar përgjatë viteve 2013-2014 dhe sipas hetimeve të prokurorisë kreu i IKMT-s dhe stafi i tij kanë vepruar në kundërshtim me ligjet në fuqi./a.meta