Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani komenton kthimin e buxhetit nga Presidenti Ilir Meta dhe pozicionimin e LSI-së në çështjen e studentëve.
Në një status në “Facebook”, Manjani shkruan se Presidenti bëri shumë mirë që e ktheu ligjin por nëse dje Meta, kryetar i LSI do kishte ndaluar votimin e ligjit për arsimin e lartë zgjidhja për studentët do ishte më e plotë.
Të njëjtën logjikë përdor dhe në rastin e LSI-së, për të cilën thotë se sjellja politike e dëmton sot.
Statusi i plotë i Manjanit:
Ilir Meta, sot President i Republikës, bëri shumë mirë që e ktheu ligjin për Buxhetin e Shtetit.
Është padyshim një mundësi shumë e mirë për të reflektuar ndonjë zgjidhje nga ato që kërkojnë studentët.
Por, nëse Ilir Meta dje kryetar i LSI e bashkëkryetar i maxhorancës, do kishte ndaluar votimin e ligjit për Arsimin e Lartë, zgjidhja për studentët do ishte më e plotë.
Në fakt Ilir Meta nuk ndaloi dot asnjë ligj të mbrapshtë që miratoi dje maxhoranca PS-LSI. Nuk ndaloi as pisllëqet e kontrollit të drejtësisë nga Rama; as koncesionet; as taksat e larta; as emigracionin masiv; as anashkalimin e Presidentit të Republikës; as kanabisin e drogën.
Asgjë, megjithëse deputetë e ministra të LSI reagonin kundër këtyre gjërave. Pa llogaritur këtu persona të tjerë të njohur në publik e madje edhe Institucione ndërkombëtare si FMN.
Zaten kjo sjellje politike dëmton sot LSI. E bën atë të pabesueshme në publik. Logjika është e thjeshtë: pse duhet t’u besojmë juve sot në opozitë, kur dje në pushtet nuk e ndaluat këtë harbut që sot qeveris?!
Sigurisht që LSI do vijojë të jetë në politikë, por shpresoj që ky pësim të jetë bërë mësim. Politika nuk është as marrëveshje punësimi e as zgjidhje e halleve të ditës.
Politika duhet të shohë larg, ndryshe nuk është politikë.
/a.rada