Mekë, 400 haxhilerë shqiptarë, asnjë problem pas tragjedisë ku humbën jetën mbi 717 pelegrinë
Për besimtarët musliman vizita në Mekë është një prej 5 kollonave të fesë islame e detyrueshme të kryhet njëherë në jetë për ata që kanë mundësi financiare dhe fizike. Në terminologjinë e fesë islame kjo njihet me termin Haxh. Sikurse edhe vitet e shkuara, për peligrinazh në Mekë këtë vit kanë shkuar një grup besimtarësh muslimanë të udhëhequr nga kreu komunitetit musliman Skënder Brucaj . Mes tyre edhe ish kreu Komitetit Shtetëror të Kulteve Ilir Hoxholli i cili nga Meka, gjatë një bashkëbisedimi me Top-Channel jep detajet se si është duke shkuar pelegrinazhi i këtij grupi shqiptarësh pas lajmit per tragjedine ku humben jeten mbi 717 pelegrine
Në bazë të infomacioneve që mblodha menjëherë pas lajmit, rruga e cila kishin shqiptarët nga Minaja deri tek Xhemeratet është krejt e ndryshme nga vendi aksidentit, kjo për faktin se haxhinjtë shqiptar respektojne rrugën dhe orarin e caktuar nga organizatorët. Ky është vit i vecantë pasi prej shumë vitesh patëm harruar të dëgjonim per aksidente të tilla. Shprehim keqardhjen për jetët e humbura njëkohësisht falenderojmë mediat për interesimin ndaj nesh, shpresojmë që mos kemi asnjë lajm të keq për shqiptarët.
Hoxholli shpjegon se si po shkon haxhi I pelegrineve shqiptare
Janë rreth 400 haxhilerë shqiptarë nga të cilët rreth 320 nga Shqipëria dhe 80 shqiptarë nga Mali I Zi dhe Bosnja. Gjendja e tyre është relativisht e mirë, kuptohet këto nuk mund të quhen pushime, ka rite që kërkojnë dhe lodhje fizike, por deri tani të gjithë ndjehen mirë dhe entuziastë për të vazhduar deri në fund. Habitesh se dëshira me e madhe është te mosha më e vjetër për të kryer cdo gjë me përpikmëri edhe në disa rite ku mund të ketë tolerime.
Pjesë e Haxhit është edhe vizita dhe kryerja e ritualit në Arafat vëndin ku u takua profeti Adem me Havanë, madje është edhe vendi ku kanë shkelur të gjithë profetët. Hoxholli tregon ndjesinë që prodhon kjo vizitë.
Ai vend për mua ishte e vecanta dhe kuptimi i këtij udhëtimi, aty njeriu bëhet njësh me kohën, historinë, aty ndjehesh i privilegjuar nga të gjithë, ndjehesh pranë Zotit, bëja shumë lutje për të gjithë miqtë. Ndjeja që lutja më lehtesonte shpirtin tim, aty sinqerisht ndjeja që njeriu është krijesë sociale, ndjeja sikur lutjet merrnin përgjigje aty për aty… Të ecësh në gjurmët e profetëve, në vendfaljen e Zotit, janë raste që nuk të vijnë shpesh në jetë, ndaj e shfrytëzova mirë dhe lutesha për vendin tim. / Nga Muhamed Veliu TCH