Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka zhvilluar një takim konsultativ me Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian, për projektvendimin për krijimin e strukturave negociuese me Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij Bushati theksoi se diskutimi është shumë i rëndësishëm, pasi projekti evropian i vendit duhet të jetë një proces bashkues, si për klasën politike shqiptare edhe për shoqërinë në tërësinë e saj.
“Negociatat do të jenë një proces i vështirë, por që pritet të sjellë një transformim modernizues në funksionimin e administratës, bashkërendimin institucional, kapacitetet planifikuese dhe zbatuese, në hapjen dhe transparencën e politikë-bërjes. Ky modernizim i administratës, i bashkuar me reformat për sundimin e ligjit, konsolidon shtet-ndërtimin demokratik”, u shpreh Bushati.
Ai theksoi se qeveria është e hapur për dialog të vazhdueshëm me Parlamentin, shoqërinë civile, grupet e interesit, botën akademike.
BE, tha ai, bazuar në arritjet e Shqipërisë në procesin e reformave, ka përcaktuar tashmë rrugën për hapjen e negociatave të anëtarësimit, ndërkohë që me Komisionin Evropian ka filluar procesi i analizimit të legjislacionit tonë për të vlerësuar shkallën e përputhjes me legjislacionin e BE-së. Kjo analizë na ndihmon për të planifikuar hapat në vijim dhe për përgatitjen e strukturës sonë institucionale për zhvillimin e negociatave.
Konsultimet për strukturën insitucionale për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit i janë nënshtruar konsultimeve publike me institucionet, grupet e interesit dhe shoqërinë civile, me qëllim gjithëpërfshirjen./a.meta