Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti Kombëtar i Statistikave (INSTAT) publikojnë rezultatet e Studimit të dytë Demografik dhe Shëndetësor Shqiptar 2017-2018.
“Studimi demografik dhe Shëndetësor 2017-2018 konfirmon trendin pozitiv të rritjes së aksesit në shërbime shëndetësore afër vendbanimit të qytetarëve. Të dhënat e gjeneruara prej tij na ndihmojnë ne që buxhetin për shëndetësinë ta orientojmë vetëm sipas nevojave reale, për të bërë investime efikase, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit shëndetësor”, tha Ministrja Manastirliu.
Duke u ndalur në investimet në shëndetësi, Manastirliu u shpreh se buxheti është rritur me 43.3% në 5 vitet e fundit.
“Sot spitalet rajonale kanë rritur aktivitetin e tyre spitalor me mesatarisht 20% më shumë pacient të shtruar dhe të trajtuar. Çdo të thotë kjo shifër? Janë pacientë që deri dje shpenzonin kohë dhe para për të udhëtuar drejt Tiranës për shërbime që sot i marrin afër vendbanimit. Ndaj ne do investojmë në sistemin shëndetësor 3 miliardë e 150 milionë lek në vitin 2019, ose 20% se viti 2018, pikërisht për të rritur cilësinë e shërbimit aty ku qytetarët kanë nevojë”, tha Manastirliu.
Studimi Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri (ADHS) 2017-2018 ka gjeneruar të dhëna mjaft të vlefshme demografike dhe shëndetësore. Gjetjet reflektojnë trend pozitiv në aksesin në shërbimet shëndetësore si:
– 88% e grave që kanë lindur fëmijë gjatë 5 viteve të fundit kanë marrë shërbime shëndetësore gjatë shtatzënisë nga personel i kualifikuar shëndetësor.
– 78% e grave kanë kryer më shumë se katër vizita shëndetësore gjatë shtatzënisë.
– Rreth 99% e lindjeve janë realizuar në maternitete dhe në 100% të rasteve këto lindje kanë qenë të asistuara nga personel shëndetësor i kualifikuar.
– Njohuritë mbi planifikimin familjar janë pothuajse universale në Shqipëri, ku rreth 97% e individëve të intervistuar ishin në dijeni të të paktën një metode kontraceptive.
– Ka një përmirësim të dukshëm të ushqyerjes së fëmijëve 0-5 vjeç në krahasim me studimin e parë të 2008-09. Aktualisht, vetëm 11% e fëmijëve janë stunted (të shkurtër për moshën), 2% janë ëasted (të dobët për gjatësinë e tyre), 16% janë mbi peshë dhe vetëm 2% janë nën peshë.
“Këto të dhëna padyshim reflektojnë rritjen e aksesit në shërbime shëndetësore por ne jemi të vetëdijshëm se më shumë duhet bërë. Ndaj me buxhetin 2019 investojmë për rijetësimin e 5 Materniteteve Lezhë, Berat, Kukës, Mat dhe Pogradec sepse për ne, kujdesi për nënën dhe fëmijën vjen i pari”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal edhe te rritja e pagave për stafin mjekësor.
“Vetëm në 2 vite po rrisim me 17% pagat për asetin tonë më të çmuar, mjekët dhe infermierët. A janë mjaftueshëm? Ne e dimë se kemi ende shumë për të bërë por jam këtu për t’i siguruar që mbështetja për ta do të vijojë me rritje page dhe incentiva financiare edhe në vitet në vijim”, tha Manastirliu.
Studimi Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri ofron të dhëna për modelet demografike, lindshmërinë, planifikimin familjar, shëndetin e nënës dhe fëmijës, njohuritë mbi HIV dhe AIDS, ushqyerjen, fuqizimin e gruas, faktorët e riskut të lidhur me stilin e jetesës dhe Sëmundjet Jo të Transmetueshme. Studimi kontribuon në pasurimin e bazës së të dhënave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar me tregues të rëndësishëm demografikë dhe shendetësorë, që i vlejnë hartimit të politikave të drejta në shërbim të shëndetit dhe mirëqënies së qytetarëve.
Studimi u zbatua nga Instituti i Statistikave (INSTAT) dhe Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), nën drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe me mbështetjen teknike dhe financiare të Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran (SDC), Qeverisë Shqiptare, Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) dhe Agjensisë së Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Gruas (UN Women).
a.çupaj