Kryeministri Rama, gjatë përballjes me studentet, përsëriti edhe njëherë faktin që protesta bëhet për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve vendimmarrëse, ndërkohë që për zgjidhjen e kërkesave duhet të dialogohet dhe të shihen të gjitha mundësitë për zgjidhje, si dhe afati kohor.
“Fakti që ka zëra mes turmës që thonë se kërkesat janë të panegociueshme, kam bindjen se nuk është një gjë që vjen nga studentët që me të vërtetë kanë probleme dhe arsye për të protestuar. Por bëhet nga ata që kanë frikë se, po të zgjidhen gjërat, kërkesat e studentëve, atëherë ata nuk do të kenë më argument për të qëndruar në rrugë dhe për të vijuar me agjendat e tyre politike. Ne vepruam menjëherë me VKM-në kur ka vend për veprim, por për kërkesat e tjera që erdhën në vijim duhet ulur në diskutim. Problemi nuk është kur qeveria të dëgjon dhe të fton në dialog, por kur nuk të dëgjon dhe kur do të të duhet që të radikalizosh veprimtarinë tënde. Ne jemi të hapur për të diskutuar për të gjitha kërkesat e tyre”, tha Rama.
Momenti aktual, sipas kryeministrit është shumë i rëndësishëm, sepse studentët janë provokuar. Studentët duhet të marrin fatin e tyre në duar për kërkesat e tyre.
a.çupaj